“Save the Children” ka bërë lansimin e nën-granteve të financuara nga BE-ja për tridhjetë organizata lokale të cilat do implementojnë projekte për ofrimin e shërbimeve sociale për grupet e cenueshme në Kosovë, në përgjigje të Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Përmes nën-granteve, të ofruara në kuadër të projektit “Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë, si përgjigje ndaj Covid-19”, organizatat do të ofrojnë shërbime të domosdoshme, të kualitetit të lartë për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rriturit në nevojë dhe në rrezik të përjashtimit social, si dhe për viktimat e dhunës dhe trafikimit.
Ahmet Kryeziu, drejtor i “Save the Children”, tha se ndihma nga BE-ja është shumë e nevojshme sidomos për këto kategori e më shumë edhe gjatë sfidës me pandeminë.
Sipas tij, me ndarjen e këtyre granteve do të stimulojnë edhe institucionet të punojnë më shumë për grupet e varfëra në Kosovë.
“Falënderojmë zyrën e BE-së në Kosovë për këtë ndihmë e kjo nevojë duhet theksuar sidomos gjatë kohës se pandemisë”.
“Shtrirja e këtij projekti në 24 komuna do jetë një lehtësi e madhe për këta fëmijë përmes këtyre granteve, dhe në mënyrë që të nxisim institucionet që të punojnë për grupet me të varfëra në Kosovë”, tha Kryeziu.
Tomash Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e lansimit të këtyre granteve si dhe rëndësinë e shërbimeve sociale, raporton EO.
“Jam i lumtur të jem sot këtu, për të ndihmuar me shërbime kualitative që janë në situata të vështira, e sidomos ata fëmijë që janë pjesë e dhunës në familje, dhe pjesë e rrezikut. Shërbimet sociale janë të një rëndësie shumë te madhe”.
Ilir Kapiti, zëvendësministër Financave, Punës dhe Transfereve, tha se pandemia ka shkaktuar një situatë jo të mirë për këta fëmijë.
“Programi i Qeverisë së Kosovës ka prioritet sektorin e mirëqenies sociale dhe familjare”.
“Rezultatet e pandemisë po kanë ndikim dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme andaj ky zbatim dhe këto grante do ndihmojnë mjaftë shumë”, tha Kapiti.