Bashkimi Evropian (BE) që nga nisja e eskalimit të situatës në veri të Kosovës është angazhuar në aspektin diplomatik për të ndihmuar palët që të ulen tensionet.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë qenë në kontakte me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për uljen e tensioneve, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Ne preferojmë që punën tonë ta bëjmë përmes kanaleve politike dhe diplomatike e jo përmes komenteve publike. Ato që kemi pasur nevojë të themi publikisht e kemi thënë përmes deklaratave për shtyp, përfshirë edhe dje nga komunikatat e Përfaqësuesit të Lartë Borrell”, tha Stano.
I pyetur se a ka BE-ja ndonjë dëshmi se Kosova e ka shkelur marrëveshjen duke vendosur reciprocitetin në rastin e targave të veturave, ky zëdhënës i BE-së shtoi se po bëhet thirrje që të evitohen veprimet e njëanshme dhe provokimet nga cilado anë.
“E tërë situata nuk është doemos e lidhur vetëm me shkeljen e ndonjë marrëveshjeje specifike. Ka të bëjë po ashtu dhe me veprime të njëanshme pa konsultime. Pra, ne duam të evitohen veprimet e njëanshme dhe provokimet”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së, duke përsëritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar një takim në kuadër të dialogut ku do të adresoheshin pakënaqësitë e palëve.
Burimet e BE-së kanë thënë po ashtu se situata në veri të Kosovës dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kanë qënë pjesë e bisedimeve edhe në takimin të cilin në NjuJork e ka zhvilluar Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Sipas të njëjtave burime pala amerikane i ka shprehur mbështetje të plotë BE-së në rolin e saj në dialog dhe në përpjekjet aktuale për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara janë përfshirë poashtu në konsultime me palët edhe në kuadër te grupit të Quintit.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.
Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.
Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.