Bashkimi Evropian ka përgëzuar zyrtarisht të hënën presidentin e ri të Ukrainës për fitoren në zgjedhjet e së dielës ndërsa ka bërë të ditur se pret që komiku, Volodymyr Zelenskiy, t’i çojë përpara reformat shtetërore, përfshirë luftimin e korrupsionit.
Në një letër të përbashkët adresuar Zelenskiyit, pas konfirmimit të fitores së tij ndaj ish-presidentit, Petro Poroshenko, kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean- Claude Juncker, lavdëruan procesin zgjedhor përkundër faktit se disa pjesë të Ukrainës vazhdojnë të jenë nën kontrollin e forcave pro-ruse, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Ata megjithatë bënë të ditur se edhe pesë vite pas zgjedhjes së Poroshenkos me anë të një revolte popullore kundër paraardhësit të tij pro-rus, Ukraina ka ende rrugë të gjatë për të kaluar drejt përmbushjes së kërkesave të popullit për paqe, demokraci dhe prosperitet.
“Përparim i rëndësishëm është arritur në pesë vitet e pas Revolucionit të Dinjitetit në Ukrainë”, kanë shkruar ata. “Dhe shumëçka tjetër mbetet për t’u përmbushur në emër të arritjes së synimit për një Ukrainë paqësore, demokratike dhe prosperuese, të atillë çfarë e kërkonte vetë populli”.