Bashkimi Evropian bëri një paralajmërim të qartë të mërkurën se Britania e Madhe është duke shkuar drejt një Brexit-i pa marrëveshje, i cili do të jetë i dëmshëm për vendin, kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë javë deri në përfundimin e afatit.
Duke folur para ligjvënësve të Bashkimit Evropian në Strasburg, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka thënë atij të hënën se Londra ende e dëshiron një marrëveshje, por se do ta largojë Britaninë nga BE-ja me apo pa marrëveshje më 31 tetor.
“Ka mbetur shumë pak kohë. Rreziku nga Brexit-i pa marrëveshje është shumë i vërtetë”, tha ai, përderisa deputetët që e përkrahin Brexit-in filluan të duartrokisnin.
Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në një samit të rëndësishëm më 17 dhe 18 tetor, tri vjet pas mbajtjes së referendumit për Brexit-in në vitin 2016.
Britania nuk pritet të dorëzojë ndonjë propozim të hollësishëm me shkrim për marrëveshje të Brexit-it. “Nëse ndodh kjo, samiti do të përfundojë pa ndonjë rezultat”, tha një diplomat i BE-së në Bruksel.
Në skenarin më të keq, Brexit-i pa marrëveshje besohet se do të shkaktojë pengesa të rënda në tregti, furnizim me ilaçe, ushqime të freskëta dhe mundësi të trazirave, shkruan “Reuters”.