Heqja e masave është vetëm fillimi. BE duhet të bëjë dhe i ka borxh më shumë Kosovës, sidomos në lidhje me Aplikimin për Anëtarësim që gati po bëhen dy vjet pa u adresuar e përgjigjur. Mediet sot po raportojnë që Josep Borrell ka rekomanduar në raportin e tij për Kosovën/Dialogun heqjen e masave ndaj Kosovës, por kosovarët do të shohin me kujdes e skepticizëm këtë informacion.
Po raportohet që Borrell ka përmend që heqja e masave do të jep sinjal politik dhe do të kontribuonte në “kontekstin e balancuar” të BE-së në menaxhimin apo lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo me kthy në anën e kundërt i bie sikur ‘ndoshta nuk kemi qenë të balancuar në dialog’ apo sikur ‘ja kemi mbajtur anën më shumë Serbisë’ e tash po jau heqim ‘masat’ që jau kemi vendosur padrejtësisht kosovarëve që me u balancuar sadopak.
Por ne ende nuk po e marrim këtë si punë të kryer se ende edhe dy instanca politike të BE-së do të vlerësojnë dhe ndërmarrin vendime rreth kësaj ditëve të ardhshme. Politika e jashtme e BE, sidomos ajo drejt Ballkanit ka qenë e çakorduar dhe jo unike (e fragmentuar) me dekada, pse të besojmë tani që ajo do të bëjë një veprim të duhur?
Nuk e harrojmë gjithashtu që Komisioni Europian disa herë ka rekomanduar për Kosovën që psh të liberalizohen vizat apo të nënshkruhet marrëveshje të ndryshme por nivelet politike i kanë ‘instrumentalizuar’ dhe ‘politizuar’ këto rekomandime dhe e kanë bllokuar Kosovën. Falë Zotit që Kosova ka më shumë miq dhe përkrahës në BE sesa ata që e stopojnë përparimin e saj e kështu e cenojnë sigurinë e Ballkanit dhe të Europës.
Fundja vendosja e këtyre masave kundër Kosovës ka qenë e padrejtë dhe gabim nga BE, sidomos kur duhet që BE asnjë masë nuk ja ka vendosur Serbisë që ka cenuar sovranitetin dhe ka bërë agresion në rastin e sulmit me paraushtarak në Basnjskë me 24 shtator 2023. BE me këtë rast vetëm po korrigjon gabimet e veta.
BE edhe psë është një gjigant ekonomik, ajo po tregohet e pa-aftë me menaxhu këtë dialog i cili nuk po sjellë rezultate praktike për qytetarët dhe bizneset e dy vendeve.
Ndoshta është koha që modeli të ri-strukturohet, duke mësuar nga gabimet dhe eksperiencat e së kaluarës. Sidomos të vendoset një afat-kohor (timeframe) se ndoshta Serbia ka dëshirë përjetësisht të mbajë këtë temë hapur që të sabotoj konsolidimin e Kosovës.
Sidoqoftë, Heqja e masave ndaj Kosovës më shumë e pastron vet BE-në nga vendimet dhe politike kontraverse dhe të gabuara në Ballkan.
Nëse BE dëshiron të dëshmojë që është e pa-anshme dhe e përkrahë Kosovën sikur Serbinë dhe vendet tjera, ajo duhet të përgjigjet në kërkesën e Kosovës për aplikacionin për anëtarësim dhe të aprovojë dhe konfirmoj statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave për anëtarësim, sikurse ka bërë me të gjitha vendet e Ballkanit, dhe jo vetëm.
Kosova ka aplikuar mbi 15 muaj më herët dhe asnjë përgjigje nuk ka deri më tani. Si të ju besoj qytetari i Kosovës nëse vendi i tyre vazhdimisht po lihet anash në procese të rëndësishme?
BE, edhe pse e ka ndihmuar ekonomikisht Kosovën, ajo i ka hyrë në hak Kosovës disa herë deri më tani dhe ka treguar, fatkeqësisht, elemente raciste nda Kosovës dhe qytetarëve e bizneseve përfshirë institucioneve të saj.
BE mund të korrigjojë këto ‘krime’ ndaj Kosovës nëse punon më shumë që të avancoj, sikur vendet tjera, me kushtet e njëjta, edhe Kosovën drejt anëtarësimit në BE-së dhe organizata tjera pan-europiane.