Bashkimi Evropian refuzon ta njohë Alyaksandr Lukashenkën si president të Bjellorusisë, tha të enjten shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“BE-ja nuk i njeh rezultatet e falsifikuara [të zgjedhjeve në Bjellorusi]. Bazuar në këtë, i ashtuquajturi inaugurim i 23 qershorit dhe mandati i ri, i pretenduar nga Alyaksandr Lukashenka, nuk kanë asnjë legjitimitet demokratik”, tha përmes një deklarate Borrell.
“Ky ‘inaugurim’ bie ndesh me vullnetin e pjesës më të madhe të popullsisë bjelloruse”, shtoi ai.
Zgjedhjet në Bjellorusi janë mbajtur më 9 gusht, por opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se votimet janë manipuluar, në favor të Lukashenkës, përcjell rel.
Që atëherë, mijëra bjellorusë, përkundër shtypjeve nga policia, protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkës.
Të mërkurën, në një ceremoni të paparalajmëruar, Lukashenka bëri betimin për mandatin e gjashtë presidencial.
Kjo shkaktoi protesta masive dhe bllokim të rrugëve në Bjellorusi.
Policia u përgjigj me topa uji dhe rrahje me shkopinj.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin Lukashenkën si president legjitim të Bjellorusisë.