Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën e tyre evropiane, thuhet në Deklaratën e Brukselit të miratuar në Samitin BE–Ballkani Perëndimor
Në deklaratën e lëshuar pas samitit, theksohet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen.
“Në mungesë të një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të dy partnerët mbeten të penguar në rrugën e tyre evropiane”, thuhet në dokument, duke theksuar se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i saj.
BE-ja bën të ditur se “mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me angazhim konstruktiv dhe përparim të matshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.
Deklarata u miratua nga BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fund të dokumentit theksohet se Serbia nuk është harmonizuar me këtë deklaratë, meqë askush nga përfaqësuesit e saj nuk mori pjesë në samit.