Komisioneri i Bashkimit Evropian për tregun e brendshëm Thierry Breton u ka kërkuar platformave të mediave sociale që të përgatiten për mundësinë e kryerjes së ekzekutimeve me transmetim të drejtpërdrejtë nga Hamasi.
“…një rrezik i afërt nga i cili duhet të mbrojmë qytetarët tanë, dhe ne po kërkojmë garanci që platformat janë të përgatitura mirë, për mundësi të tilla”, tha Breton në një fjalim në Parlamentin Evropian.
Kujtojmë se një zëdhënës i Brigadave Al-Qassam të Hamasit deklaroi javën e kaluar se Hamasi do të fillojë ekzekutimin e pengjeve në transmetim të drejtpërdrejtë nëse Izraeli targeton njerëzit në Gaza pa paralajmërim.
Breton shtoi se sinjali i BE-së është i qartë: “Gjërat kanë ndryshuar në Evropë. Ekziston një ligj, ai duhet respektuar.”
Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) është një rregullore në ligjin e BE-së që synon të krijojë një hapësirë dixhitale më të sigurt ku mbrohen të drejtat themelore të përdoruesve dhe të krijojë një “fushë loje” të barabartë për bizneset.