Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka akuzuar BE -në për “shantazh” në një debat të nxehtë me shefen e Komisionit Europian Ursula von der Leyen mbi sundimin e ligjit.
Përplasja në Parlamentin Europian vjen pas një vendimi të lartë të gjykatës polake që hodhi poshtë pjesët kryesore të ligjit të BE-së, njofton Klan Kosova.
Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.
Von der Leyen tha se do të vepronte për të parandaluar që Polonia të minonte vlerat e BE -së.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik”, tha von der Leyen.
Ndërkaq, Moraëiecki u përgjigj duke thënë se “shantazhi nuk duhet të jetë metodë e politikës” dhe akuzoi BE -në për tejkalimin e pushtetit të saj.
Kjo ishte hera e parë ku një udhëheqës i një shteti anëtar të BE-së vë në dyshim traktatet e BE -së në një gjykatë kushtetuese kombëtare.
Vendimi ka ngritur shqetësime se Polonia – si Mbretëria e Bashkuar – mund të dalë nga BE në të ashtuquajturin Polexit. Por, Morawiecki ka këmbëngulur vazhdimisht se vendi nuk ka në plan të largohet nga Unioni.
“Nuk duhet përhapur gënjeshtra për Polexit”, tha ai në Parlamentin Europian.
Sipas von Der Leyen janë tri opsione që mund të merren si masa ndaj Polonisë: hapja e procedurave të reja të shkeljes, veprimi përmes mekanizmit të ri të kufizimit të buxhetit ose përdorimi i procedurës së Nenit 7, i cili në fund të fundit mund t’i heq Polonisë të drejtat e votimit të BE -së.