Bebe Rexha arrin një tjetër sukses. Këngëtarja u bë artistja e parë shqiptare e nominuar në ceremoninë më prestigjioze të muzikës, “Billboard Music Awards”.
“Meant To Be” në bashkëpunim me Florida Gorgia Line, është kënga e cila i siguroi asaj nominim për kategorinë “Top Country Song”, transmeton emisioni Express në KTV.
“Unë jam një vajzë nga New Yorku, nuk mendoja se do të isha e nominuar për një çmim ‘country’!”, ka thënë Rexha.
DJ Khalid dhe Bebe Rexha i bënë të ditur të nominuarit në kategoritë e mëdha të këtyre shpërblimeve në emisionin “Today”, përfshirë çmimet si “Artisti më i mirë”, “Kënga më e mirë ‘Hot 100’ dhe “Artisti i ri më i mirë”.
Ndërkaq, pjesa tjetër e nominimeve u shfaq nëpërmjet një transmetimi të drejtpërdrejtë në rrjete sociale, në faqen e Facebookut të Billboard dhe faqen e BBMA në këtë rrjet social.
Ed Sheeran, Bruno Mars dhe Kendrick Lamar, kryesojnë nominimet për këto çmime, me 15 sish.
Ceremonia e ‘Billboard Music Awards 2018’ do të mbahet në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas të dielën më 20 maj.