Bebe Rexha ka pasur një natë të bukur mbrëmë në MTV Video Music Awards.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare ka fituar për herë të parë çmimin për një VMA, çmime këto që ndahen nga televizioni muzikor ‘MTV’ për videoklipet më të mira të vitit.
Ajo është shpërblyer për videoklipin e këngës ‘Call you mine’ në bashkëpunim me The Chainsmokers, për kategorinë e këngës më të mirë ‘Dance’.
Bebe është shprehur shumë e lumtur në postimet në rrjetet sociale për këtë fitore, ndërsa në një pozë shihet me ‘astronautin’ që ka marrë si çmim teksa e ka vendosur tek të pasmet për të pozuar pas fitores.
Bebe fiton këtë çmim pas Rita Orës, e cila e ka fituar vitin e kaluar për bashkëpunimin ‘Lonely Together’ me Avicii.
Duke triumfuar në këtë kategori, Bebe Rexha ka lënë prapa këngët e tjera në nominim si: “Solo” nga Clean Bandit dhe Demi Lovato, “Taki taki” nga DJ Snake, Selena Gomez, Ozuna & Cardi B, “Happier” nga Marshmello & Bastille, dhe këngën “Electricity” të kënduar nga shqiptarja tjetër e famshme, Dua Lipa, në bashkëpunim me Silk City.