Shpërthimet e krismat që ndodhën mbrëmë në veri të Mitrovicës i ka dëgjuar edhe kryetari Bedri Hamza. Në një prononcim për Gazetën Express, Hamza kërkon kujdes nga të gjitha institucionet duke u shprehur se “situata është e ndjeshme”.
Mbrëmë në Mitrovicën Veriore ka pasur shpërthime që sipas policisë kanë ardhë nga mjetet piroteknike, teksa krismat janë dëgjuar edhe në pjesën jugore të qytetit.
Kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza tha se i ka dëgjuar edhe vetë këto krisma.
“I kena dëgju se unë qaty jetoj, jetoj në qendër të qytetit te cepi i urës. Janë dëgju normalisht që situata e sigurisë është mjaft e ndjeshme, duhet kujdes prej të gjitha institucioneve dhe secili ta kryej punën e vetë me përkushtim me përgjegjshmëri të lartë dhe me kujdes maksimal”, tha Hamza.
Tutje, ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe se nuk është e lehtë me jetu në këto rrethana.
“Unë jam në kontakt me qytetarët, dal edhe në atë pjesë anej. Ata i kanë shqetësimet e tyre, për sigurinë e tyre, të pronës etj, nuk është e lehtë thjeshtë me jetu në ato rrethana, ata jetojnë që një kohë të gjatë. Edhe na jemi gjithmonë brenda kompetencave tona si komunë, se ne e dimë që kompetencat e pushtetit lokal në Mitrovicë në pjesën e territorit të komunës jugore janë të plota, por në territorin e komunave tjera ne mundemi me u solidarizu mi ndihmu gjithçka që është brenda kompetencat tona”, u shpreh Hamza.
Gjatë bisedës, kryetari Hamza kërkoi që për detaje shtesë lidhur me këto shpërthime të kontaktohen organet e rendit. Mirëpo, mëngjesin e së hënës askush nga policia nuk ka qenë i qasshëm në telefon, edhe përkundër përpjekjeve të Gazetës Express për të marrë informacione shtesë.
Hamza shtoi se është në kontakt me organet e rendit dhe se vazhdimisht informohet për këto situata.
Policia ka thënë mbrëmë se krismat e dëgjuara në veri kanë qenë nga mjetet piroteknike.
Sipas policisë, ato “me gjasë” kanë qenë të një feste të ditëlindjes dhe nuk ka dëme.
Kujtojmë se ditë më parë Policia e Kosovës është sulmuar nga granata dore, kallashnikov dhe mjete piroteknike në veri të vendit.
Goditja e parë ishte me thumba metalikë në rrugë.
E policia po dyshon se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
Përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për ndonjë zyrtar policor të lënduar.