Bedri Hamza prezanton pesë zotimet e para: Rritje pagash e pensionesh dhe ulje të tatimeve

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një videospot, përmes të cilit ka prezantuar pesë zotimet e tij të para për qytetarët e Kosovës.

Në mesazhin e tij, Hamza ka theksuar se këto zotime synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjen e mirëqenies së tyre.

“Sot dua t’ju prezantoj pesë zotimet e mia të para, të cilat do t’i realizoj si Kryeministër i vendit, për t’ua lehtësuar jetën dhe për ta përmirësuar mirëqenien e çdo qytetari të Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka bërë të ditur se zotimi i parë ka të bëjë me rritjen e pagave në sektorin publik.

“Do t’i rrisim pagat 50% për të gjithë punëtorët e sektorit publik”, ka thënë Hamza.

Po ashtu, Hamza ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të pensioneve dhe ndihmave sociale.

“Do t’i rrisim të gjitha pensionet 50%, përfshirë ndihmat sociale, dhe pensioni më i ulët do të jetë 250 euro”, ka theksuar ai.

Një tjetër zotim lidhet me uljen e tatimit për pagat, me qëllim që punëtorët të kenë më shumë të ardhura mujore.

“Do ta ulim tatimin për pagat, ashtu që secili punëtor të marrë më shumë para në fund të muajit”, ka deklaruar Hamza.

Hamza ka paralajmëruar edhe ulje të TVSH-së për produktet bazike ushqimore.

“Do ta ulim TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero, ashtu që çmimet e tyre të ulen”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka njoftuar se energjia elektrike do të lirohet nga TVSH-ja.

“Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për faturë më të ulët dhe të përballueshme”, ka shtuar Hamza.

Në përmbyllje, kandidati për Kryeministër ka theksuar se këto zotime janë konkrete dhe të realizueshme.

“Këto janë zotimet e mia: të domosdoshme, të realizueshme dhe jetike”, ka përfunduar Hamza.

Të ngjashme