Bedri Hamza shpalos Fondin e Papunësisë: 80% të pagës për gjashtë muaj do ta marrin qytetarët që humbin punën

Prishtinë | 16 Jan 2025 | 17:53 | Nga Ekonomia Online


Mijëra qytetarë të Skenderajt sot i kanë dhënë mbështetje Bedri Hamzës për kryeministër, nga ku ai shpalosi disa nga planet e tij për të ardhmen.

Ndër tjerash, ai ka premtuar Fondin e Papunësisë, për ata që e humbin punën, të cilët, siç tha Hamza “për gjashtë muaj do të kenë kujdesin e shtetit deri sa ta gjejnë punën tjetër”, raporton Ekonomia Online

“Është nder të jem sonte këtu, në vendin e sakrificës dhe angazhimit të vazhdueshëm për Republikën e Kosovës. Në shtëpinë time, vendlindjen time. Jam në Drenicën e mendjes dhe pushkës, të Hasan Prishtinës e Ahmet Delisë, të Tahir Mehës, të Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit. Në vendlindjen e Hashim Thaçit, që ishte shtëpi e dytë edhe për Kadri Veselin. Drenica edhe sot, si gjithë, është ba shembull se ne mundemi ma mirë!”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se me këtë besim, Drenica ka jetuar, është përpjekur dhe me këtë besim i ka kontribuar vendit gjithmonë.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se në qeverinë e tij nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve e jo përpara.

Ai ka thënë se nuk do të ketë as tatime për bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro.

“Do të ketë lirime nga tatimet për bizneset që investojnë mbi 500 mijë euro apo që punësojnë mbi 50 punëtorë. Do të ketë grante e subvencione për biznese e për bujqësi. Për modernizimin e teknologjisë dhe rritjen e konkurrencës. Do të ketë edhe ulje tatimesh dhe lehtësime tjera fiskale që do të ndikojnë në rritjen e sektorit privat e rrjedhimisht edhe të pagave për të punësuarit në këtë sektor. Si në krejt botën perëndimore, ku shteti i rri afër qytetarit të vet, në kohë të vështira kur humb punën, edhe ne në Kosovë do ta mbulojmë koston e jetesës së tyre për një periudhë të caktuar kohore dhe do ta krijojmë Fondin për Papunësinë. Ata që e humbin punën, për gjashtë muaj do të kenë kujdesin e shtetit deri sa ta gjejnë punën tjetër”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se do të bëhen politika të qëndrueshme që Kosova të ketë rrymë, ujë dhe ngrohje dhe stabilitet.

Të ngjashme