Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në fjalën e tij në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë, që zhvillohet në Prishtinë, ka thënë se ndër ata që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve janë gratë. Ai ka shtuar se qenësor është arsimimi i grave dhe vajzave, raporton Ekonomia Online.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj e vlerësoi angazhimin ndërkombëtar të Kosovës për fuqizimin e rolit të grave, për barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta, si dhe për adresimin e sfidave, ndërsa propozoi që ky forum të kthehet në një platformë aleancash që mbështesin dhe sigurojnë fuqizimin dhe rolin e grave në shoqëri në mbarë botën.
“Të njëjtat aleanca duhet të formohen për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas, – vijoi më tej Presidenti Begaj, sipas së cilit, kjo dhunë nuk është vetëm një fakt i konflikteve civile, etnike, rajonale apo globale, por dhe i jetës së përditshme të qindra e mijëra familjeve në të cilat gratë përballen me keqtrajtim.
“Historia në Ballkani Perëndimor dhe në shoqërinë shqiptare ka parë se sa të durueshme janë gratë si ndëmjetëse të paqes dhe stabilitetit. Sot po ashtu luajnë kontribut të shquar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Vlen të theksohet se edhe Shqipëria edhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes së gruas në të gjitha proceset. Paqja dhe siguria e qëndrueshme nuk mund të realizohet pa përfshirjen e grave dhe burrave në të gjitha proceset. Qenësor këtu është arsimimi i grave dhe vajzave. Lufta nuk duhet të harrohet dhe kryesit të mbetet pa ndëshkuar. Ky forum është me rëndësi ngase theksohet roli që luan secili vend”, ka thënë ai.
Në vlerësimin e Presidentit Begaj, arsimimi i grave përbën një element themelor, investim që rrit kapacitetet, u hap mundësi të reja, u jep forcë, kurajë e burime që u duhen për të sfiduar mentalitete e qasje në familje dhe në proceset politike e shoqërore.
“Duke mbështetur arsimimin e grave, ne investojmë në liderët e ardhshëm të fushave sfiduese”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Ndërsa kujtoi të kaluarën e përgjakshme të Ballkanit, Presidenti i Republikës kujtoi vuajtjet e grave, të cilat, siç u shpreh ai, kanë mbajtur barrën më të rëndë, pasi janë trajtuar si shënjestra të dhunës e të torturës, me qëllim poshtërimin e komuniteteve dhe spastrimin etnik.
Kreu i Shtetit kërkoi dënimin e autorëve, ndërsa vlerësoi guximin e grave të mbijetuara nga lufta që dëshmuan tmerret e përjetuara.
“Ne jemi sot së bashku në Kosovë për të ritheksuar vendosmërinë tonë të palëkundur për bashkëpunim, përparim e zhvillim të qëndrueshëm për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor. Ky forum përbën jo vetëm një akt të kujtesës kolektive të dhunës historike e aktuale ndaj grave në konflikte, por edhe aspiratën e përbashkët për një të ardhme ku paqja e siguria fuqizohen prej rolit dhe lidershipit të grave”, deklaroi Presidenti Begaj.