Begaj: S’ka vend për pakënaqësi, Shqipëria avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një intervistë për programin e “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe, derisa foli rreth “hatërmbetjes” së Kosovës ndaj Shqipërisë, posaçërisht sa i përket zhvillimeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, theksoi se “s’ka vend për pakënaqësi” sepse Shqipëria do të jetë gjithmonë krah i Kosovës.

“Kosova është interesi më madhor i Shqipërisë, Shqipëria është avokatja më e mirë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe çdo iniciativë rajonale përmendet dhe mbrohet Kosova. Patjetër që ne do të kemi këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen nuk mendoj që ka vend për pakënaqësi. Ne jemi aty, do të jemi gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, garantoi presidenti shqiptar.

Ndryshe, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës kohën e fundit janë kategorizuar nga një cikël përplasjesh midis liderëve politikë. Kjo “ftohje” në raportet ndërshtetërore erdhi pas angazhimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), duke dhënë sugjerime e propozime.

Megjithatë, përkundër se angazhimi aktiv i kryeministrit Rama për të gjetur një zgjidhje për rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka gjetur konsideratë minimale nga liderët institucionalë në Kosovë, posaçërisht nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, autoriteti dhe konstruktiviteti i tij janë vlerësuar pozitivisht nga diplomatët evropianë.

Të ngjashme