Familjarë të personave të pagjetur bashkë me anëtarin e Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e të zhdukurve në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të përmbyllur vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Familjarët thanë se ky vit që po lëmë pas ishte negativ ngase nuk u bë asgjë për zbardhjen e të pagjeturve.
Anëtari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prek Gjetaj, tha se shpreson që viti që vjen të jetë me më shumë rezultate për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
“Jemi këtu para memorialit që simbolizon zhdukjen e njerëzve në luftën para 21 viteve dhe ende me këtë plagë familjarët ende që qëndrojnë dhe ne si përkrahës të familjarëve. Urojmë që ky vit të jetë vit i gjetjes së familjarëve, sepse kanë kaluar shumë vite ankthi është shumë i madh andaj kemi kërkuar nga institucionet e vendit të bashkëpunojmë me ndërkombëtarët në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Si gjithherë është e vërtetë adresa kryesore e kërkimit të këtyre personave që na mungojnë është Serbia”, tha ai për Ekonomia Online.
Gjetaj ka bërë apel që ndërkombëtarët të bëjnë presion tek institucionet e Serbisë për të dhënë më shumë informata për gjetjen e të zhdukurve.
“I bëj apel Bashkësisë Ndërkombëtare të bëjë presion në institucionet serbe për të treguar vendndodhjen e të gjithë atyre që na mungojnë, ata dinë kanë informata kanë çdo mundësi me na ndihmu”.
Përfaqësuesi i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Qerkinaj, tha se ky vit ishte negativ për fatin e të pagjeturve dhe se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të bëj më shumë presion që të japin informacione për personat e zhdukur.
“Sot ishte një përmbyllje e këtij viti, familjarët nuk janë të kënaqur me punën që është bërë sot, kërkojmë të bëhet më shumë presion tek Serbia sepse ata e dinë, por nuk po duan me na ndihmu, për që s’po duan me na ndihmu familjarët janë këtu sot të vendosin disa lule për vitin që po përmbyllet me gjëra shumë negative”, tha ai për Ekonomia Online.