Komuna e Prishtinës për herë të parë ka ndërmarrë hap konkret që teatrin e qytetit “Dodona” ta bëjë me trupë rezidente.
Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Financave për t’i shqyrtuar mundësitë për shtim të numrit të nëpunësve dhe masës buxhetore, e cila do të mundësonte pranimin e 20 aktorëve për ta formuar trupën rezidente, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në dokumentin me titull “Kërkesë për shtim të numrit të pozitave dhe masës buxhetore” të datës 13 të muajit mars, adresuar ministrit Bedri Hamza, kërkohet që kjo të bëhet në kuadër të programit “Shërbime kulturore” të kategorisë buxhetore “Paga dhe mëditje”.
“Komuna e Prishtinës në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive ligjore dhe orientimit të saj, për të mbështetur aktivitetet kulturore dhe në funksion të respektimit të kërkesave të qytetarëve dhe komunitetit artistik për kushte më të mira dhe mbështetje për zhvillimin e aktiviteteve ju drejtohet me kërkesë për të shqyrtuar mundësitë për shtim të numrit të nëpunësve dhe masës buxhetore, që do të mundësonte rekrutimin e 20 artistëve shtesë, në kuadër të nënprogramit ‘Shërbime kulturore’ të kategorisë buxhetore ‘Paga dhe mëditje’”, shkruhet në kërkesën, e cila bazohet në Ligjin për Teatro. Në nenin 7 të këtij ligji specifikohet se teatrot e qytetit mund të kenë ansamblin rezident prej së paku 10 dhe më së shumti prej 20 aktorëve.