Bëhet testimi me kamionë i qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit

Mitrovicë | 08 Gus 2024 | 13:03 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas ngjyrosjes, sot po bëhet testimi i qëndrueshmërisë së Urës mbi Ibër në Mitrovicë. Për këtë qëllim mbi urë kanë qëndruar kamionë të rëndë. Gjithashtu mbi urë ka kaluar një grumbull i zyrtarëve, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online.

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve sipas paralajmërimeve të Qeverisë Kurti. Kjo është kundërshtuar nga BE-ja dhe ShBA-ja, të cilët e kanë quajtur “vendim të njëanshëm”.

Në kohën kur kamionët e kompanisë “Bageri” po testonin kapacitetin mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër, në “inspektim” kanë ardhur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e dhjetëra zyrtarë të tjerë qeveritarë e komunalë.

Më pas, ata janë ndalur për kafe në një lokal në afërsi të urës, në pjesën veriore, një gjest simbolik për të treguar “shtrirjen e sovranitetit të munguar për 20 vjet”.

Ditëve të kaluara, “inspektime” ka kryer edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Një ditë më parë, punonjës të një kompanie të angazhuar nga Qeveria kanë filluar ngjyrosjen e mureve nën Urën që ndan e bashkon qytetin e Mitrovicës.

Qeveria para disa ditësh dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të. Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”. Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Të ngjashme