Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në zbatimin e legjislacionit dygjuhësor në Kosovë, u tha në konferencën e organizuar nga Misioni i OSBE-së, në të cilën janë publikuar dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, bëri thirrje që të zbatohet ligji dygjuhësor në Kosovë duke shtuar që rinia e vendit duhet t’i njohin edhe gjuhët e tjerëve, raporton Ekonomia Online.
“Kosova është një shoqëri shumëkombëtare. Shumëkulturalizmi dhe shumëgjuhësia ka qenë realitet i Kosovës që shumë shekuj. Ne do të fillojmë me fushatë në disa komuna me moton: Gjuha juaj e drejta juaj. Goxha të rinj në Kosovë nuk e flasin as gjuhën angleze mirë dhe ne dëshirojmë që ata ta njohin gjuhën e tjerëve. Shumëgjuhësia e Kosovës nuk duhet të jetë një e kaluar”.
Braathu tha se qeveria duhet të punojë më shumë për zbatimin e ligjit gjuhësor në Kosovë, raporton EO.
“Zbatimi i ligjit gjuhësor në Kosovë është i mangët dhe qeveria duhet të punojë më shumë në këtë aspekt. Në vend se të drejtojmë gishtin nga mangësitë duhet të bëjmë zgjidhje dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin hapat e nevojshëm, ndërkohë që duhet të plotësohen të drejtat gjuhësore në Policinë e Kosovës. Këtë herë raporti i policisë është shumë më i mirë se herëve tjera dhe ne shpresojmë që do të ketë ende përmirësime”, tha ai.
Slavisa Mladenovic, komisioner i gjuhëve, tha se legjislacioni dygjuhësor duhet të zbatohet më shumë.
“Kushtetuta e Kosovës parasheh të drejta për te gjitha komunitetet që mund të mbajnë gjuhën e tyre mirëpo në terren situata është ndryshe sepse shumë gjera që janë në legjislacionin dygjuhësor nuk praktikohen. Kjo mund të krijoj ndasi. Duhet ti ndalim keqpërdorime në proceset gjuhësore”.
Mentor Burovci, drejtor në zyrën ligjore të kryeministrit, përmendi mungesën e përkthyesve në vend, derisa tha se po punojnë në krijimin e një njësie për të harmonizuar tekstet ligjore, raporton EO.
“I gjithë legjislacioni harmonizohet edhe përkthehet në mënyrë që ky legjislacion të jete i përshtatshëm për qytetarët e vendit. Do të doja të përmendja mungesën e përkthyesve në vend. Pastaj mungesa e përkthyesve ligjorë, dhe një njësie ligjore të përkthimeve. Një problem tjetër është mungesa e bazës ligjore që gabimet e ledhuara gjatë hartimit të legjislacionit nuk mund të korrigjohen. Duke pasur në konsideratë këto vështirësi, qeveria e Kosovës ka themeluar një komision qeveritar ku jemi duke punuar ndërtimin e një njësie që do ta ketë mandatin e nevojshëm të bëjë harmonizimin e teksteve ligjore”, tha ai.
Deputetja Duda Balje tha se duhet të ketë vullnet politik e qytetar që të respektohet legjislacioni në fuqi
“Ky mosrespektim i dygjuhësisë mund të shkaktojë probleme në Kosovë. Kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë dhe kam qenë deputete nuk e kam ditur asnjë fjalë shqip, dhe përkundër faktit që ekzistonte ligji unë nuk mund të dëgjoja serbisht. Në Kosovë implementimi i ligjit është shumë problematik. Ne në kuvend mund të votojmë, mirëpo në terren janë gjërat ndryshe”.