Bëhet thirrje që edhe sportistëve tjerë t’iu lejohen stërvitjet

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Të hënën është marrë vendimi i pritur gjatë për kthimin e futbollistëve kosovarë në stërvitje, e në fillim të qershorit edhe në ndeshje.

Por vendimi është kufizuar vetëm për Superligën e Kosovës në futboll dhe nuk përfshinë edhe sportistët tjerë të vendit.

Kjo është vlerësuar e padrejtë nga federata të ndryshime sportive. Ndërkohë Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar që edhe për sportistët tjerë të lejohen përgatitjet.

“KOK-u kërkon që sa më parë t’iu mundësohet edhe sporteve tjera fillimi i përgatitjeve, gjithnjë duke u bazuar në udhëtim që dalin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë si dhe nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në një komunikatë të KOK-ut.

Për sportet tjera është në fuqi vendimi që aktivitetet të rifillojnë në qershor, kur nis faza tjetër e hapjes, raporton Koha.net.

Njëri prej më të zëshmëve për kthim në stërvitje është Driton Kuka, drejtor sportiv i Federatës së Xhudos së Kosovës.

“Kjo nuk ka logjikë. Nuk po kuptoj pse ka ndodhur kështu. Si federatë do të analizojmë mirë situatën dhe do të dalim me qëndrim. KOK-u dhe federatat duhet me urgjencë të kërkojnë takim, e sidomos MKRS-ja, që të ndryshohet ky vendim”, ka thënë Kuka.

Edhe në Federatën e Atletikës, sport në të cilin kontakti thuajse nuk ekziston, kanë kërkuar që të rifillojnë me stërvitje.

“Mendoj që është dashur edhe sportet tjera të lejohen, sidomos ato që nuk kanë kontakt, si atletika, çiklizmi e sporte të ngjashme”, ka thënë Abdurrahman Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Atletikës së Kosovës.

Të ngjashme