Ne jetojmë në një shtet ku gjysma e ministrave kanë aktakuza, duke e përfshirë edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, prandaj, sigurisht që nuk e meritojmë të bëhemi pjesë e Interpolit. Ne thjesht meritojmë të jemi në listat e Interpolit.
Nëse themi që Behgjet Pacolli duhet të japë dorëheqjen për shkak të dështimit të Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit, kjo vetëvetiu nënkupton që ne paskemi pasur pritje për punën e tij në diplomaci. Prandaj, le ta çojë dorën ai që ka menduar kështu?
Unë për vete jo.
Në fakt, as nuk e di nëse jam i mbushur me mllef pas dështimit të sotëm. Pse çka pritët? Që befasisht institucionet tona, të udhëhequra shatra- patra, e paskan kryer një punë për së mbari? Që Behgjet Pacolli, me avionin e tij privat, paska arritur që jo vetëm t’i bindë shtetet që na kanë njohur, por edhe ato që nuk na kanë njohur, që ta çojnë dorën lart e më lart për ta pranuar Kosovën në një organizatë serioze?
Madje, po e them këtu pa hile, jam pak i hidhëruar me veten përse e pata një moment dobësie, kur gati fillova t’u besoj këtyre mashtruesve që i kanë siguruar votat e duhura për ta bërë Kosovën shtet anëtar të Interpolit. Ishte pak a shumë si kur fillon të besosh që do ta fitosh- më në fund- një tiketë në bastore, pas qindra humbjesh.
Me gjasë kjo ndodhi sepse gënjeshtrat dhe propaganda e javës së kaluar, e orkestruar nga shefi i diplomacisë, kishte dhënë efektin e duhur. Pastaj mënyra se si i mblodhi ajkën e gazetarisë kosovare për t’i marrë në Dubai, për të qenë dëshmitarë se si Kosova po e fiton një betejë të rëndësishme politike dhe diplomatike. Kush do të ishte kaq idiot- mendova dje- që ta bëjë gjithë këtë zhurmë, që t’i tubojë pas vetes gjithë këta gazetarë, për ta ekspozuar humbjen e tij në mënyrë kaq trumpetuese. Por ja që Behgjet Pacollit duhet t’ia heqim kapelën për këtë talent.
Tash, pas përfundimit të festës në Dubai, po duket që Qeveria, Pacolli dhe Presidenti, më shumë paskan harxhuar mjete dhe energji për të na bindur ne që pranimi i Kosovës në Interpol ishte i rëndësishëm, se sa për t’i bindur ata që kishin të drejtë vote.
Kur kjo nuk ndodhi, kur u bëmë përrallë e botës, kur për ne nuk votuan as shtetet që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, Pacolli filloi të shpërndajë gënjeshtra nëpër portalet që i financon se si Serbia u paska dërguar femra në dhomat e hoteleve delegatëve të shteteve të ndryshme, në mënyrë që pastaj t’i shantazhojë ata. Ja pra, saktësisht edhe për shkak të kësaj mënyre të punës, ne nuk e meritonim të ishim në Interpol. Na duhet veç edhe pak punë e këtillë për të konstatuar njëzëri që ne nuk e meritojmë të quhemi as shtet, por njëfarë banana republike që rastësisht ndodhet në Evropë, e që rastësisht në një moment të dobësisë së Perëndimit u njohëm si të tillë.
Prandaj do të ishte shpërqëndrim i vëmendjes, nëse ne do të kërkonim koka specifike për edhe një dështim më tepër të Kosovës, në arenën ndërkombëtare.
Është e kotë ta godasim Pacollin, ose të shkojmë aq larg sa ta kërkojmë kokën e tij. Ai është vetëm simptoma. Ai na tregon më së miri se ku jemi si shoqëri. Te Pacolli ne e shohim se si shteti i është rrëmbyer institucioneve dhe është bartur nëpër kullat e tij, nëpër avionat e tij privatë, nëpër jahtet e tij. Për më tepër, nuk është që Pacolli i ka rrëmbyer institucionet, ose bartësit e tyre. Janë bartësit e institucioneve ata që e kanë rrëmbyer Pacollin. Te ai, te pasuria e tij, ata e kanë realizuar ëndrrën e tyre. Lluks. Dekadencë. Papërgjegjësi. Jotransparencë. Çdo gjë mund të realizohet te ai. Te Baci. E Baci, është i dashur për të gjithë njëjtë. Kur burrat prishen me njëri- tjetrin, shkojnë te Baci për darkë. Kur nuk dinë se si t’i pastrojnë tepricat financiare, shkojnë te Baci për të marrë ide. Kur dëshirojnë t’i shesin pronat e tyre mbi çmimin e tregut, shkojnë te Baci për t’i shitur ato. Kurse, kur mbesin mangut për deputetë për të formuar qeverinë, e rrethojnë shtëpinë e tij për t’ia marrë ata që ai i fitoi në zgjedhje te një parti tjetër.
Mos me keqkuptoni, edhe sikur të mos ishte Baci, do gjendej një bac tjetër, një Blerim tjetër, a një Shkelqim tjetër. Mirëpo këta nuk janë problem. Këta nuk janë as fajtorë përse Kosova nuk po bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.