Shoqëria e sotme njerëzore ecën drejt polarizimit të skajshëm, sepse anëtarët e saj gjithmonë e më shumë po zgjedhin të bëhen punëmarrës dhe jo punëdhënës.
Nëse ti zgjedh të shkosh diku dhe këtë e bën duke ecur në këmbë dhe jo me makinë, apo avion, patjetër që ke bërë një zgjedhje të sigurt, por jo konkurruese, jo efiçiente dhe për rrjedhojë, jo më të suksesshmen.
Nëse të gjithë ne prindërit rrisim fëmijët, duke u thëne çdo ditë: bëhuni ekonomistë, arkitektë, doktor apo inxhinierë, sepse kështu do të bëni një jetë të qetë dhe të rehatshme, natyrisht kemi bindur veten dhe ata, që do të kenë një jetë të sigurt.
Nëse ne, do t’u themi gjithmonë atyre: kujdes, mendohu mirë para se të veprosh, më mirë mos e bëj se sa t’a bësh gabim, ne nuk do t’i lëme ata të gabojnë, ne nuk do t’i lëmë ata të rriten, ne nuk do t’i lëmë ata të mendojnë.
Jack Ma, themeluesi i “Alibaba”, kur e pyetën se çfarë këshille do t’u japësh të rinjve, ai tha: – Gaboni, gaboni, gaboni, pa pasur frikë se po dështoni, sepse dështimi është pjesë e suksesit.
Nëse Thomas Edison nuk do kishte gabuar 1000 herë në eksperimentet e tij, ai nuk do t’a kishte shpikur llampën, ai nuk do të kishte stërvitur shpirtin e shpikësit dhe të sipërmarrësit.
Nëse Edison, do të kishte qenë një punëmarrës, bota me siguri nuk do të kishte as gjysmën e perfitimeve që pati nga shpikjet dhe zbulimet e tij.
Nëse Steve Jobs nuk do kishte pasur dëshirën për arritje dhe nuk do të kishte zgjedhur sipërmarrjen si instrumentin për ta realizuar ëndrrën, me siguri bota nuk do të kishte pasur sot, as ipod-in, ipad-in, iphone-in, apple-in, etj.
Universitetet edukojnë punëmarrës dhe jo punëdhënës të ardhshëm.
Kjo është një nga sfidat, që përballet shoqëria sot në të gjithë botën.
Shkolla të mëson si të mos gabosh dhe jo si të rrezikosh.
A nuk janë universitetet sot, ato që nuk implementojnë simulimin e situatave reale, që burojnë nga marrëdhëniet e përditshme, qofshin ato në organizata publike apo private.
Kush nga studentët e ka ndjerë veten gati, pasi shkolla i ka krijuar atij klimën e duhur, i ka dhëne mjetet e duhura, për t’u bërë një sipërmarrës.
Natyrisht të bëheni arkitektë, ekonomistë, doktorë, apo inxhinierë, por në vend që të punësoheni, punësoni veten, duke hapur studiot tuaja. Në vend që të bëheni punëmarrës, bëhuni punëdhënës.
Edukohuni që paraja t’ju shërbejë si një instrument i sipërmarrjes, sepse vetëm atëherë ajo do të shërbejë si punonjësi juaj, përgjatë 24 orëve, do të thoshte një autor i një libri të suksesshëm.
Ne duhet të mësojmë të rriskojmë, të dalim nga kutia, sepse vetëm kështu mund të arrijmë atë që duam, mund të arrijmë lirinë financiare.
Në vend që të ecim në këmbë, ne duhet të zgjedhim mjetin e duhur, në mënyrë që, në vend që të jemi të sigurt, të jemi të suksesshëm.
Vetëm sipërmarrja të mundëson të bësh atë që ke dashur, të arrish atje ku ke ëndërruar dhe të jetosh lirinë financiare.
Nga ana tjetër, sipërmarrja u mundëson anëtarëve të një shoqërie, të ecin shpejt, të konkurrojnë suksesshëm dhe të rriten në shtratin e inovacioneve. (Afrim Osmani/ Business Magazine Albania)
*Autori është lektor i Menaxhimit të Inovacioneve & Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në Kolegjin Universitar “Luarasi”