Intervistë e Artan Fugës për “Albanian Free Press”
Midis njëqind budallenjve dhe një intelektuali sigurisht një politikan për t’u zgjedhur ka nevojë për njëqind budallenj. Debatet në Kuvendin e Shqipërisë janë në nivelin e pijetores të lagjes sime.
“Ka maskarenj të talentuar në Shqipëri, unë njoh plot, ka të korruptuar të talentuar në Shqipëri, unë njoh plot, ka trafikantë të talentuar, ka demagogë plot talent, unë njoh plot në Shqipëri. Nëpunësit që rekrutohen: vajza e filanit, kunata e filanes, mbesa e filanit, gruaja e djalit te filanit”.
“Nëse dëshiron të ecësh në karrierë hiqu si budalla, shtiru se nuk ke asnjë kompetencë, tregoju debil, kokëgdhë, i trashë. Do shohësh se ke për të pasur shumë propozime për t’u bërë deputet, drejtor, ministër, ambasador, e kështu me radhë.” Akademiku dhe publicisti i njohur Artan Fuga në një intervistë për “Albanian Free Press”, thotë më tej se “Egoisti, gënjeshtari, mashtruesi, falsifikatori, trafikanti, etj., ecin në këtë shoqëri më shpejt se të tjerët.” Ai bën një analizë të hollësishme, ku më të ndershmit, më të mirët, njerëzit e zotë dhe të talentuar të vendit tonë lihen jashtë vëmendjes së shtetit, nëpërkëmbën, dhe si pasojë detyrohen të largohen jashtë vendit.
“Talenti i mashtruesit, trafikantit, të korruptuarit, një talent i rrallë, prodhojnë një shoqëri si kjo jona ku bota duket sikur është kthyer mbrapsht, por në fakt çdo gjë shpjegohet. Fëmijët në librat e shkollës mësojnë : Mos gënje, mos vrit, mos korrupto, mos u bëj egoist, ndihmoji të tjerët, etj., kurse në jetë kush ndjek në Shqipëri këto këshilla, është i mbaruar, dhe ai që i ndjek plotësisht, është në rrezik të kthehet në lypsar. Ose edhe të vdesi urie.”
Me njerëzit e zotë, të ndershëm, punëtorë e të talentuar, dhe nga tjetër, dembelë, injorantë, trafikantë, të korruptuar apo edhe njerëz të botës së krimit, cili është raporti i shtetit shqiptar, i politikave qeverisëse, mbi këto dy kategori?
Nuk ka politika në Shqipëri për të promovuar talentet. Edhe kur duket sikur ka në fakt është një fallcitet. Ka një mijë arsye për këtë. Ekonomia dhe shoqëria shqiptare është në gjendje krejt të prapambetur. Teknologjikisht në shumë fusha ne ose punojmë me teknologjinë që na la diktatura, ose jemi zbythur edhe më shumë duke shkuar në shekullin e 19-të. Ja të marr shembuj. Merrni skuadrën Kombëtare të futbollit. Ajo mbase përfaqëson shqiptarët, por jo Shqipërinë sepse përbëhet në mënyrë dërmuese nga futbollistë që talentin e tyre e kanë shfaqur ose zhvilluar jashtë Shqipërisë. Merrni politikat në arsim ku u jepen bursa për jashtë shtetit të talentuarve. Në fakt ato bursa i marrin njerëzit me influencë, që kanë lidhje me pushtetin. Merrni tani së fundi që u tha se studentët me dhjeta do të kenë tarifa shkollimi falas dhe ndonjë lekë xhepi më tepër. Shumë pak. Ndërkaq edhe ato politika që bënte një vit Bashkia Tiranë për t’i nxjerrë fotografitë e maturantëve me nota dhjeta në stacionet e autobusit ishin fare qesharake.
Pra, nuk besoj se ka politika për të talentuarit. Madje politika edhe kur artikulon programe, ose kur politikanët bëjnë sikur grinden me njeri-tjetrin në Kuvend, ose japin intervista, në fakt i drejtohen shtresave që nuk kanë lidhje me talentet ose jo njerëzve më të talentuar, apo të rinjve të talentuar. Fjalë banale, zënka, deklarata bajate, lojëra fjalësh etj. Dhe e dini pse? Sepse ne jetojmë në kushtet kur politika do vota dhe votat masive nuk ja japin të talentuarit ose më të aftët, por ajo pjesë e popullsisë që i beson. Midis njëqind budallenjve dhe një intelektuali sigurisht një politikan për t’u zgjedhur ka nevojë për njëqind budallenj. Vlerëson më shumë njëqind budallenj sesa një të talentuar. Ky është paradoksi i parimit të shumicës, sikurse zbatohet në Shqipëri.
Ky nuk është një ves i demokracisë sepse në demokraci janë sipërmarrjet që e nxisin talentin dhe politika i mbështet nën presionin e bizneseve. Çfarë biznesesh ka në Shqipëri që duan talente? Nuk ka. Çfarë t’i duash talentet? Për call-center? Për kioska? Për taksistë? Për çfarë?
Nga ana tjetër talentet që dalin nga shtresat e popullit janë shumë pak. Jo se fëmijët e popullit dhe të shtresave në nevojë nuk kanë zgjuarsi natyrale dhe të lindur. Përkundrazi e kanë shumë të zhvilluar. Por, nuk ka politika sociale për t’i ndihmuar që të ecin. Punësimet sidomos në administratën publike bëhen sipas nepotizmit. Po të bëhet një studim sociologjik dhe të shihen se cilët janë nëpunësit që rekrutohen nga agjencitë publike do të shohësh se po të gërvisësh sadopak do të gjesh vajzën e filanit, kunatën e filanes, mbesën e filanit, gruan e djalit te filanit… Imagjinoni se çfarë bëhet me atë që është i talentuar, apo që me punë ka arritur të jetë më i përgatitur se të tjerët.
Shqipëria vlerësohet si një vend me korrupsion shumë të lartë dhe lufta ndaj këtij fenomeni është kusht kryesor i pranimit në BE. Një i korruptuar në vetvete, a kërkon të ketë talent?
Unë kam mendimin që kur nis gara në një shoqëri që ka qenë barazimtariste dhe hapet drejt iniciativës të lirë, nuk janë më të moralshmit, më të kulturuarit, më të drejtët, më humanët, më solidarët që arrijnë suksesin. Flas si rregull, sepse sigurisht ka përjashtime. Vlerat negative në një shoqëri si jona që u udhëhoq nga parimi le të fitojë kush të mundet dhe me nivel të lartë korrupsioni japin më shumë avantazhe sesa vlerat morale që janë quajtur pozitive. Ta kuptojmë etikën dhe shoqërinë e tregut sikurse është jo duke u nisur nga një kuptim i gabuar i librave që flasin për to. Egoisti, gënjeshtari, mashtruesi, falsifikatori, trafikanti, etj., ecin në këtë shoqëri më shpejt se të tjerët. Prandaj me ndonjë përjashtim mëkatarët ecin përpara, dalin të parët, kurse besimtarët, pra njerëzit me besë dhe etikë, mbesin të fundit. A nuk ka thënë Jezusi se të fundit dalin të parët dhe të parët dalin të fundit?
Pra, sikurse e quani ju një i korruptuar, mashtrues, dikush që nuk zbaton ligjet, gënjeshtar, trafikant, egoist, etj., nderohet më shumë sesa një njeri i ndershëm. Sepse i pari ka parà, kurse i dyti i ka brekët e grisura, këpucët e arnuara, flokët e paqethur. Mashtruesi i korruptuar nuk ka kohë e nevojë që talentin e tij për kulturë e shkencë t’a zhvillojë. Zakonisht ai nuk di shumë. Kurse ka të zhvilluar talentin për t’ua hedhur të tjerëve, për t’iu fshehur ligjit, ka talent për mashtrim dhe pastaj ka talent që paranë e pisët t’a fshehi dhe t’a vendosi në përdorim.
Pra, edhe i korruptuar ka talentet e veta të mëdha. Unë nuk i shoh veç të korruptuarin dhe veç të talentuarin. Ka maskarenj të talentuar në Shqipëri, unë njoh plot, ka të korruptuar të talentuar në Shqipëri, unë njoh plot, ka trafikantë të talentuar, ka demagogë plot talent, unë njoh plot në Shqipëri. Debatet në Kuvendin e Shqipërisë janë në nivelin e pijetores të lagjes sime. Niveli i mesëm intelektual i politikanëve është më i ulët sesa mesatarja e nivelit kulturor të popullsisë.
Pra është ai që ka talent për politikë, që bën përpara.
Talenti i mashtruesit, trafikantit, të korruptuarit, një talent i rrallë, prodhojnë një shoqëri si kjo jona ku bota duket sikur është kthyer mbrapsht, por në fakt çdo gjë shpjegohet. Fëmijët në librat e shkollës mësojnë : Mos gënje, mos vrit, mos korrupto, mos u bëj egoist, ndihmoji të tjerët, etj., kurse në jetë kush ndjek në Shqipëri këto këshilla, është i mbaruar, dhe ai që i ndjek plotësisht, është në rrezik të kthehet në lypsar. Ose edhe të vdesi urie.
Por, mos mendoni, pra, se një maskara nuk mund të jetë i talentuar. Madje unë në marrëdhëniet me ta përbuz maskarallikun e tyre, qoftë ky biznesmen, politikan, kryebashkiak, ministre, nëpunës i lartë, etj., por u njoh talentet, përpiqem t’u kuptoj ku e kanë talentin e madh, dhe me thënë të drejtën, ndonëse nuk dua të jem si ata, nga ana tjetër kam një hutim, një mahnitje, nga talenti i tyre i rrallë. Nga kjo anë Shqipëria është vendi i talenteve të rralla. Talente vrasësish, trafikantësh, mashtruesish. Nuk besoj se i gjen në këtë nivel sikurse i kemi ne. Interesante është të zbulosh sesi kush i lind këto talente, sepse ato nuk mësohen në shkollë. Por, kjo është bisedë tjetër.
Garat ndërkombëtare, në të gjitha fushat, përgjithësisht i fitojnë më të mirët, të cilëve u krijohen kushtet e duhura nga vendi i tyre. A është udhëhequr Shqipëria në këto vite tranzicioni nga njerëz dhe drejtues të zotë, me të njëjtin vizionin si vendet e tjera për të rinjtë?
E thamë se talenti në Shqipëri nuk i duhet kërrkujt. Imagjinoni një kryetar partie cilidoqoftë. Ka prirje të marrë rreth tij sa më poshtë tij në aftësitë personale. Nuk them se merr idiotë, por gjithsesi eliminon të gjithë ata që kanë aftësira mendore dhe shpirtërore më të mira sesa ai. Pse? Sepse do që t’a ruajë i qetë postin e tij të kryetarit. Merrni ndonjë kryeministër. Ka interes të marrë rreth vetes si ministra individë burra dhe gra që asnjë mos t’ia kalojë në aftësitë e veta intelektuale ose psikologjike. Pra, promovon individë që të jenë më poshtë nivelit të tij njerëzor. Kështu pra karrierë bëjnë ata që shefat mendojnë se janë më të paaftë sesa vetja e tyre. Kështu në një media, drejtori nuk është budalla të punësojë gazetarë që janë shumë më të aftë sesa ai. Duhet nënshtrim dhe nënshtrimi nuk është vetëm i dhunshëm, por ndërtohet edhe mbi bazën e paaftësisë. Kështu në shumë fusha.
Dhe pastaj nuk ka përse të habitemi kur njerëzit shohin se kush promovohet dhe pyesin: Edhe kjo mo? Sepse janë edukuar me idealizma sipas të cilave i miri ecën përpara, e mira të çon përpara! Kështu duhet të jetë nëse shoqëria ka vlera, por në realitet nuk është kështu, te ne është e keqja, paaftësia, budallallëku që të çojnë më përpara sesa talenti për të krijuar vlera, vetitë etike si solidariteti, mirësia, besa. Nëse dëshiron të ecësh në karrierë hiqu si budalla, shtiru se nuk ke asnjë kompetencë, tregoju debil, kokëgdhë, i trashë. Do shohësh se ke për të pasur shumë propozime për t’u bërë deputet, drejtor, ministër, ambasador, e kështu me radhë.
Thuhet se talenti është i rrallë si ari, por kur nuk zbulohet ka një veti tjetër: digjet. A njihni ndonjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që të jetë kujdesur apo shqetësuar për mungesën e tij?
E thashë pra që edhe mund të ketë ndonjë deputet që të ketë ndihmuar talente. Nuk di gjë dhe nuk mund të flas pa ditur. Nuk di ndonjë rast të bërë publik. Ka ndonjë deputet që ka ndihmuar ndonjë të varfër dhe pastaj paturpësisht e ka nxjerrë në media për t’i bërë reklamë vetes të tij. Por, të ndihmojë talente nuk di gjë. Por, politika është tjetër dhe sjellja individuale e një deputeti është tjetër. Nuk kanë lidhje.
Te ne edhe në botën e kafshëve dhe të bimëve mbetet në tregun shqiptar cilësia më e dobët. Kështu është edhe për talentet. Ato talente të vërteta që rriten si ndonjë bimë në shkretëtirë ikin. Nga tregu shqiptar ikin qingjat e njomë dhe vijnë delet e plakura nga jashtë, ikin viçat dhe vijnë lopët që mezi ziejnë në ujë të valuar, ikin sportistët më të mirë dhe vijnë ca brazilianë që duken sikur kanë ardhur këtu pasi kanë luajtur me top lecke në favellat e varfra të Rios, ikin talentet dhe vijnë edhe ca diplomatë të huaj që shpesh kur flasin më kujtojnë atë gjeneralin “gjysmë-pordhac” që u tregonte ushtarëve se një xhade është një rrugë që kufizohet nga dy pjesë të ngritura që quhen trotuare. A merren në punë mësuesit më të mirë, artistët më të mirë, pedagogët më të mirë? Secili le t’a mendojë dhe të japi përgjigje.
Unë di që me përjashtime në përqindje të caktuara, është i talentuari për të zhvatur, mashtruar, trafikuar të tjerët që ka më shumë shanse sesa i talentuari për të arritur rezultate pozitive për shoqërinë për të ecur. Pra, mashtruesi bëhet i korruptuar, pastaj me anë të fuqisë monetare dhe korrupsionit ecën në politikë, biznes, apo në karrierë. Nderohet sepse ai ka veshjet më të mira, veturën më të mirë, këshilltarët më të mirë, avokatët më të mirë. Duket se edhe di më shumë. Bizneset e tjera rrudhen dhe i korruptuari që e lag rrotën del edhe si biznesmen i talentuar. Pastaj fëmijën e çon në shkolla jashtë vendit dhe ai vjen andej me diplomë më të mirë se të tjerët. Madje edhe atje mbase ka mësuar shumë pak por paratë e familjes e kanë ndihmuar të eci shumë më shpejtë. Dhe mashtruesi i talentuar e trashëgon emrin te të diplomuar ose te fëmijë të rritur në kushte më të mira se të tjerët. Padrejtësia trashëgohet. Brezi i dytë i mashtruesve bëhet i veshur me aureolën e të talentuarit pozitiv tanimë, por edhe nderohet si i tillë. Ndonëse në shumë raste është bosh ose nuk ka asgjë më shumë se të tjerët. Vjen brezi i dytë që tani nis e flet për vlerat, talentet, meritat dhe përbuz njerëzit e thjeshtë, i sheh me përbuzje. Ky brez i dytë nuk njeh as historinë e familjes të vet, nuk di se nga çfarë halabakësh ka ardhur, dhe funksionon sikur ka rrjedhur nga shtresa aristokratike. Nuk kanë faj. Mashtruesi i talentuar është kthyer në dembel i nderuar, me një aureol kulture dhe dijesh, ose aftësish menaxheriale. Ne jemi në këtë etapë të dytë që sapo ka nisur.
Dhe historia vazhdon.
Në këtë mënyrë krijohet iluzion se ka dy shtresa shoqërore. Populli budalla dhe i varfër; në fakt i varfër sepse është budalla, dhe të pasurit e talentuar, gjoja janë të pasur sepse kanë qenë më të zotë në vlera sesa të tjerët. Në fakt kanë qenë të tillë, por në shumicën e rasteve, kanë qenë të talentuar në hipokrizi, në servilizëm, në mashtrim, në trafiqe, në korrupsion, në thashetheme, në pabesira, etj. Këto talente negative janë burim dhe mekanizma suksesi në shoqërinë tonë. Unë mahnitem para këtyre talenteve! (Intervistoi Aranit Muraçi)