Si një fëmijë i çmendur pas bejsbollit që është rritur në Miami, Danny Valencia ëndërroi të luante nëpër ligat kryesore të këtij sporti. Mirëpo, mundësia që një ditë të paraqitet në Lojërat Olimpike me një vend të huaj, kurrë nuk i kishte shkuar në mendje.
Por, pas nëntë vjetësh dhe afro 100 ndeshjeve nëpër ligat e mëdha, ky është hapi tjetër përrallor për 35-vjeçarin Valencia, i cili kohët e fundit u bë shtetas izraelit falë origjinës hebraike dhe tash është lojtari yll në skuadrën e Izraelit që nuk po di për humbje dhe po marshon drejt Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, shkruan AP.
Bejsbolli po kthehet në Olimpiadë pasi u largua për edicionet 2012 e 2016 dhe Izraeli është një nga gjashtë skuadrat favorite për medalje, transmeton Koha Ditore.
“Është diçka fantastike të luash në Lojërat Olimpike”, tha Valencia gjatë një ngjarjeje ekipore në Tel-Aviv. “Arritja ime me Izraelin është krenari për familjen time, sidomos të ëmën që është praktikuese e judizmit dhe shumë pro-izraelite. Duke pasur parasysh që unë jam në fund të karrierës aktive si lojtar, përfaqësimi i Izraelit në Tokio këtë vit do të jetë qershia mbi tortë”.
Mbi të gjitha, pjesëmarrja në LO “Tokio 2020” është një ëndërr e përmbushur për komunitetin e vogël të bejsbollit në Izrael, që përbëhet kryesisht nga emigrantë amerikanë, që për dekada bëjnë karrierë sportive në këtë vend.
Izraeli nuk ka traditë në bejsboll që më shumë njihet si sport amerikan dhe te vendasit vlerësohet si sport i egër dhe shumë i mërzitshëm. Në Izrael, futbolli dhe basketbolli janë sportet kryesore derisa bejsbolli ende nuk ka fituar simpatinë e vendasve. Bejsbolli është shumë i popullarizuar te komuniteti i amerikanëve hebrenj.
Ata kanë marrë pëlqime për strategjinë e mirë nëpërmjet të cilës e kanë forcuar bejsbollin, i cili me debutim në Tokio mund të futet edhe në zemrat e vendasve.
“Besojmë se bejsbolli do të ketë popullaritet edhe më të madh te vendasit, sidomos pas pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike. Ata ende nuk e kanë kuptuar këtë sport, por nëse marrim njërën prej medaljeve, atëherë mund t’u bëjmë deri diku konkurrencë sporteve më të popullarizuara të vendit”, është shprehur Valencia.
Rezultatet befasuese në kualifikime – pa humbje
Bejsbolli ende nuk ka shumë popullaritet në Izrael. Vetëm rreth një mijë fëmijë luajnë bejsboll në këtë vend dhe ekziston vetëm një fushë që plotëson kushtet për zhvillimin e këtij sporti.
Në vitin 2007, gjithçka nisi kur një grup amerikanësh filluan Ligën e Bejsbollit në Izrael, një ligë gjysmë profesionale e përbërë pothuajse tërësisht nga lojtarët e huaj që tërhoqi pak interes dhe u shua pas një sezoni.