Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha ka komentuar veprimin e djeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Driton Selmanaj.
Berisha në një prononcim për Gazetën Express, e ka cilësuar si të tepruar kundërshtimin e deputetëve të VV-së për pjesëmarrjen e Driton Selmanajt në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se Selmanaj nuk kishte për qëllim ofendimin e Saranda Bogujevcit.
“Mendoj që ka qenë e tepruar, e kemi trajtuar atë temë dhe nuk ka pas për qëllim Driton Selmanaj me ofendu atë vajzën (Saranda Bogujevcin), mirëpo kjo u bë pastaj prej mediave shkoj në drejtim, e këta nuk po dinë me u nal tash. Po m’duket që është e tepërt”, tha Berisha.
Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar lirimin nga detyra të shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashi. E për këtë Berisha thotë se ende nuk e kanë parë raportin se pse atij iu kërkua lirimi i detyrës. Ndërsa thotë se nuk mund të vlerësojë nëse është i drejtë apo jo.
Berisha rreth dy vite më parë, deputetët e partnerit të koalicionit, LDK-së, i pati përshkruar si të çrregullt dhe se i mbushin xhepat me para.
“Këta rrinë si të çrregullut, flokët diqysh s’i prejnë, rrinë me mjekërr me syza, doken që janë t’meçëm po s’janë të meçëm hiç. A aty rrinë edhe paret i shtinë në xhep. Pshtjellen me flamur dardan, mërziten për Presidentin, vec si xhepat i mushin paret plot, po krejt kohën janë të përmallushëm për presidentin”, pati thënë Berisha.
I pyetur nëse e ka ende mendimin e njëjtë për partnerët e koalicionit, ai thotë se mendimet nuk i ka ndryshuar, por nuk dëshiron që në këtë kohë t’i komentojë deklarata që i ka thënë më parë.
“Unë i kom thon ato në kohën kur i kam thënë. Mendimet nuk i ndryshoj, mirëpo pak po më duket e tepërt me i komentu dmth deklaratat që i kam thënë”, thotë Berisha.