Bekim Azizi prezanton programin për Vitinë: Do të instaloj një qeverisje të pastër për të gjithë qytetarët, pa dallim

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Vitisë, Bekim Azizi përmes një video-adresimi ka prezantuar programin e tij dhe PDK-së për qeverisjen e Vitisë për katër vitet e ardhshme.

Azizi në paraqitjen e tij virtuale përballë qytetarëve tha se Vitia nuk është komuna që duan qytetarët e saj, si rezultat i qeverisjes së papërgjegjshme nga një kryetar që çdo mandat investon në luks e komoditet për vete, i cili që vetëm për qytetarin nuk punon.

“Më 17 tetor e keni mundësinë që ndalni këtë fatkeqësi. Duke e përkrahur Partinë Demokratike të Kosovës. Duke besuar në vizionin tonë të përbashkët. Duke votuar numrin 177. Për ta bërë ndryshimin historik në Viti. Për t’i thënë stop qeverisjes nga karrigia. Për t’i dhënë jetë modelit të qeverisjes së PDK-së, atij të zhvillimit e të përparimit në nivel lokal. Për t’i dhënë fund modelit aktual të qeverisjes, atij të stagnimit dhe premtimeve të rreme.”, tha Azizi.

Duke thënë se me të në krye të Vitisë, komuna do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, e jo për qytetarët në shërbim të pushtetit lokal, Azizi tha se prioritetet e qeverisjes së tij janë: arsimi cilësor dhe shkollat digjitale, modernizimi i ofrimit të shërbimeve shëndetësore, krijimi i hapësira të gjelbra dhe rekreative, implementimi i projekteve për zhvillim ekonomik lokal, ofrimi i shërbimeve administrative digjitale, ofrimi i subvencioneve për bujqit në vazhdimësi, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ofrimi i shërbimeve cilësore publike.

“Ne do të investojmë në rrjetin e ujësjellësit dhe zotohemi se çdo vendbanim i Vitisë do të ketë ujë i pijshëm 24 orë. Gruaja dhe rinia janë pjesë e rëndësishme e programit tonë. Do të ndajmë bursa për studentë. Do të dedikojmë fonde të veçanta aktivitetet rinore, kulturore dhe sportive.Do t’i ndihmojmë financiarisht gratë që arrijnë të vetëpunësohen, e do të krijojmë lehtësira për nënat që kanë fëmijë të vegjël dhe punojnë. Qytetarë të Vitisë, Vitia na bashkon të gjithëve. Numri 177 është numri i ndryshimit. Sepse Vitia meriton më shumë dhe më mirë. Numri 177, na shkëputë nga degradimi i mëtejmë. Sepse kemi një vizion të përbashkët për Vitinë e zhvilluar, të gjelbër, digjitale dhe të organizuar.”, u zotua Azizi.

Ai tha se PDK në Viti do të instaloj një qeverisje të pastër e jo diskriminuese, ku secili qytetar do të ndihet krenar dhe do ta ndjejë dorën e punëve të mira të saj.

“Në katër vitet e ardhshme do të punoj ditë e natë për t’ua ofruar qeverisjen që nuk e keni përjetuar asnjëherë, qeverisjes e mirë dhe transparente. Peshën e investimeve dhe projektet tona konkrete do t’i ndjejë dhe prekë secila lagje e qytetit të Vitisë, secili fshat i komunës sonë. Vendimmarrjen nga zyrat burokratike do ta kthejmë tek qytetarët duke zhvilluar debat publik me komunitetin për secilin projekt Ne jemi alternativa e duhur për qytetin tonë. Qeverisja jonë është shpresa dhe perspektiva e Vitisë. Bashkë vendas të mi, zotohem para jush do të jem kryetar i të gjithëve pa dallim. Do të shërbej me përgjegjësi e nder, llogaridhënie e përkushtim për të realizuar platformën tonë qeverisëse në 4 vitet e ardhshme.”, potencoi Azizi.

https://fb.watch/8pACYVaWO2/








Të ngjashme