Mysafir i sotëm në Info Magazine ishte Bekim Çollaku, tashmë ish-ministër i Integrimit Europian.
Çollaku sot gjatë ditës ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Integrimit Europian, siç tha ai pasi “tashmë ka kryer punë aty duke plotësuar të gjitha kushtet për Liberalizimin e Vizave”.
Ish-ministri, tash shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, tregoi arsyen pse e ka lënë këtë post.
“Kjo që kam bërë unë, është një praktikë e re që duhet të aplikohet në politikë-bërjen kosovare. Shkuarja ime në presidencë nuk është habi për askënd. Kam një eksperiencë disavjeçare me presidentin Hashim Thaçi”.
“Kam arsye të fuqishme që e lash postin e ministrit. Arsyeja kryesore është një dozë e zhgënjimit edhe me BE-në për vonesat që ka bërë me Kosovën, ndërsa arsyeja tjetër lidhet me arsyet aktuale të brendshme në vendin tonë”.
“Ta them troç, gjatë dy viteve të fundit, për herë të parë kemi vërejtur nga BE-ja ndasi dhe pozicione të pakuptueshme. I zhgënjyer jam edhe me partitë politikë në vend. Dita e votimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim duhej të ishte ditë feste, e jo të bojkotohej”.
“Kemi ardhur në një moment ku secili duhet të mendojë dhe të reflektojë për veprimet e veta. Ky ndoshta është momenti i duhur që të kemi një qasje më konstruktive që janë në interesin nacional”.
“Sa i përket procesit të integrimit europian, s’kemi mundur të bëjmë asgjë më shumë. Është bërë maksimumi”.