Në selinë e Unionit të Radio Televizioneve Internacionale (URTI), në Paris, me propozim të Bordit Mbikëqyrës, Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, rizgjodhi të shtunën përfaqësuesin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bekim Hasanin në pozitën e Presidentit të Komisionit të Televizioneve, ndërsa iu besua edhe koordinimi i Strategjisë së transformimit të transmetuesve publikë.
“Bordi Mbikëqyrës i URTI-t, organizata më e vjetër dhe më e madhe e transmetuesve publikë të botës, ka vlerësuar reformat e realizuara nga menaxhmenti aktual dhe i ka besuar atij një tjetër mandat dyvjeçar, për të çuar përpara Strategjinë për transformimin rrënjësor të organizatës, në kontekst të mbështetjes së transmetuesve publikë për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga zhvillimi i hovshëm teknologjik”, ka thënë Hasani.
Presidenti i rizgjedhur i Komisionit të Televizioneve, Bekim Hasani, po ashtu është ngarkuar me detyrën e udhëheqjes së grupit ndërkombëtar të ekspertëve për hartimin e strategjisë së strukturimit organizativ të transmetuesve publikë, një projekt që mbështetet nga Komisioni Evropian, platforma Media 2020, organizata ndërkombëtare të mediave si dhe UNESCO-ja.
Presidenti i rizgjedhur Bekim Hasani ka theksuar se në bashkëpunim me kolegët dhe ekspertët e angazhuar, brenda një periudhe optimale kohore, Asamblesë së Përgjithshme të URTI do t’ia ofrojë modelin e transformimit strukturor, organizativ dhe menaxherial të transmetuesve publikë, me qëllim të evitimit të rrezikut të largimit të audiencës nga Radiot dhe Televizionet.
Ai ka theksuar se është e domosdoshme që transmetuesit publikë nga e tërë bota të bashkëpunojnë për ta krijuar një model sa më efikas transformimi të mediave tradicionale.
Edhe RTK-ja, si anëtare me të drejta të plota në URTI, do të mund të përfitoj nga ky projekt, por edhe projektet tjera të kësaj organizate.