Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë që dështimi i vazhdueshëm i seancave të Kuvendit për çështje të rëndësishme ka qenë më i theksuar pasi Lista Serbe ka braktisur koalicionin.
Haxhiu në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë që megjithatë në çdo rrethanë normale politike përgjegjësia bie mbi shumicën për të siguruar votimin e nevojshëm për çështjen jetike të Kosovës.
“Deri te kjo situatë kemi ardhë pasi Lista Serbe ka braktisur koalicionin për shkak të veprimeve që kanë qenë në interes të shtetit [taksa dhe largimet e disa ministrave që kanë qenë në detyrë]”.
“Prej këtij momenti janë shfaqur probleme në Parlamentin e Kosovës me përjashtim të PSD-së të cilët kanë mbajtur një qëndrim konstruktiv si parti opozitare sa i përket shtetit dhe miratimit dhe funksionimit të Kuvendit”.
Haxhiu ka thënë Partitë tjera opozitare nuk e kanë bërë detyrën dhe funksionin që ua kanë besuar qytetetarët.
“Asnjë subjekt politik nuk mund të funksionojë pa bashkëpunimin dhe mbështetjen edhe të atyre që janë në opozitë sepse këto ligje nuk bëhet vetëm për ata që janë në pozitë. Për shkak të mos këtij harmonizimi Ligji për Sponzorizimet nuk po arrin të implementohet prej vitit 2017”.
Ai ka theksuar se ky ligj më së shumti po dëmton sportistët dhe rininë tonë të cilët kanë nevojë për mbështetje përmes sponzorizimit.