Ish-nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj shtëpisë së futbollit, e cila dje e organizoi nje turne futbolli me veteranë për nder të ditëlindjes së legjendës Fadil Vokrri, i cili ka ndërruar jetë para katër viteve.
Deputeti i kuvendit të Kosovës përmes një reagimi në Facebook ka thënë se FFK qëllimshëm po përpiqet ta minimizojë figurën legjendare të ish-presidentit të FFK-së.
“Në ditëlindjen e legjendes së futbollit Fadil Vokrri është organizuar Turnir me veteranët e futbollit. Stadiumi ishte bosh. Pse? Sepse FFK ulë nivelin e organizimit kur bëhet fjalë për Fadil Vokrrin. Në vend se të ngris sa më lartë madhështinë e figurës së tij, FFK e përulë atë me organizime lokale, me veteranë futbolli, me gjithë respektin për ta, por ngjarjet që lidhen me Fadil Vokrrin do të duhet të jenë të organizuara në nivel shumë të lartë, me ekipe ndërkombëtare”, tha Haxhiu.
Tutje, ai theksoi se organizimin e turneve që lidhen me emrin e Fadil Vokrrit duhet t’i bëjë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së me MKRS-në, e jo Shoqata e Veteranëve të Futbollit.
“Organizimin e Turnireve që lidhen me emrin e legjendës Fadil Vokrri, do të duhej ta bënte KE i FFK-së me MKRS e jo të bëhet nga Shoqata e Veteranëve të Futbollit, ku ftesat u dërgohen mysafirëve në ditën e turnirit, apo pak orë para fillimit, prandaj stadiumi ishte bosh.Dhe vetvetiu shtrohet pyetja: A po e bën këtë qëllimisht udhëheqja aktuale e FFK-së apo vërtetë ky është respekti që ata gëzojnë për Fadil Vokrrin”, ishte reagimi i Haxhiut.