Familja pesë-anëtarëshe e Bashkim Ejupit nga fshati Baks i Skenderajt është bërë me shtëpi të re para festave të fundvitit, falë iniciativës dhe mbështetjen financiare të deputetit Bekim Haxhiu, disa donatorëve dhe Komunës së Skenderaj.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe deputeti Bekim Haxhiu, ia dorëzuan sot kryefamiljarit çelësat e shtëpisë njëkatëshe, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj ane, Haxhiu, ka treguar se ndërtimi i shtëpisë për këtë familje në nevojë u bë me iniciativën e tij, si dhe të donatorëve: Afrim Gashi, donator kryesor, pronar i kompanisë “Gashi Armierungsbau” Cottbus-Gjermani; gjeneral Nuradin Lushtaku; Abedin Bajraktari, pronar i kompanisë “Adifix” nga Klina e Epërme; Enver Mula pronar i kompanisë “Lindi” nga Skenderaj, dhe njerëzve të tjerë vullnetmirë.
Komuna e Skenderaj, po ashtu, ka ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë.
“Sot kam kënaqësinë që gjendem këtu në fshatin Baks pikërisht para shtëpisë së Bashkim Ejupit. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, si Komunë, por edhe si shqiptarë që jemi shumë humanë, të ndihmojmë njëri-tjetrin që të ndihen të gjithë mirë dhe komodë në Kosovën tonë të lirë”, tha kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
“Fatkeqësisht, edhe pas 18 vitesh kemi ende raste të tilla”, theksoi Jashari.
Deputeti Haxhiu tha se me përpjekje maksimale bënë të mundur që Bashkimi dhe familja e tij pesë-anëtarëshe ta gëzojnë shtëpinë para festave të fundvitit.
Ai bëri të ditur se kjo është shtëpia e shtatë e ndërtuar me iniciativë dhe mbështetje financiare nga ana e tij si deputet në mandatin e tretë. “Ndërtimi i shtëpive për ata që kanë nevojë për mbështetje dhe dhjetë bursat e ndara për studentët me bëjnë të ndihem jashtëzakonisht mirë dhe i plotësuar që në prag feste t’i sjellim lumturinë atyre që kanë nevojë”.
“Urime Bashkimit dhe familjes së tij shtëpia e re. Dua të falënderoj të gjithë donatorët të cilët kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj shtëpie, në veçanti donatorin kryesor, kompania ‘Gashi’, me të cilët vetëm këtë vit është shtëpia e dytë të cilën po e ndërtojmë bashkë”, tha Haxhiu.
Kryefamiljari Bashkim Ejupi ka falënderuar të gjithë ata që mundësuan ndërtimin e shtëpisë.
“E falënderoj Bekim Jasharin që ka gjetë kohën me nda gëzimin për hyrjen në shtëpinë e re. E falënderoj Bekim Haxhiun për iniciativën dhe financimin, të cilit iu kanë bashkangjitur edhe firma “Gashi” në krye me Afrim Gashin nga Gjermania. Gjithashtu e falënderoj nënkryetarin e Komunës, Nuredin Lushtakun, firmën ‘Lindi’ dhe firmën ‘Adefix’, dhe të gjithë vullnetmirët e tjerë”, u shpreh ai.