Bekim Jashari, ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe ish-kryetar i Skenderajt, po dëshmon në cilësinë e dëshmitarit në rastin ku ish-zyrtarët e Aeroportit, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke dëmtuar buxhetin publik rreth 2 milionë euro.
Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke ia mundësuar OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin e kontratës së lartcekur dhe se me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Jashari, në këtë seancë po dëshmon në cilësinë e ish-kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Aeroportit.
Ndryshe, në këtë seancë pritet të dëshmojë edhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në periudhën kohore shtator 2011 deri në gusht 2018 në vazhdimësi në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ia kanë mundësuar OE “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana të përfitojë me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit ANP/KM-11-47-111 kundërligjshëm tenderin “Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Tutje, sipas aktit akuzues Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Të ngjajshme
Do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj njërit…
11 Tet, 2023, 12:50
Njëri i akuzuar mungon për shkaqe shëndetësore, dështon…
11 Tet, 2023, 12:30
Çka thuhet në vendimin e gjykatës për dënimin e ish-shefit…
11 Tet, 2023, 9:19
Ndërsa, thuhet në aktin akuzues se kontrata është nënshkruar më 6 tetor 2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës “PPP-09-001-611 e 12 gushtit 2010”, e lidhur në mes të KDNM-së të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat (PPPP) dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.
Andaj, sipas aktit akuzues, të akuzuarit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri, edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë ‘‘LIMAK’’, ndërsa thuhet se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të parapara me ligj dhe kontratë, përfshirë konfiskimin e garancisë së ekzekutimit të kontratës apo shkëputjen e kontratës për shkak të shkeljeve të kryera nga OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K.
Kjo pasi që sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Ndërsa, thuhet se për kryerjen e punëve të papërfunduar AShNA kishte lidhur kontratë me OE ‘‘Leonardo’’, nga Italia për aktivitetin me numër të prokurimit 254-18-7340-2-1-5 “Rilokimi dhe azhurnimi i APP/TËR” më 31 gusht 2018, në vlerë 386 mijë e 180 euro, me të cilat veprime thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.
Me këto veprime, Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal.