Belgjika ka arritur ta fitojë ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Portugalisë me rezultat minimal 1-0.
Belgët me fitoren ndaj luzitanëve kanë siguruar kalimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian ‘Euro 2020’.
E në çerekfinale ata do të përballen me Italinë që po konsiderohet si një nga favoritët për ta fituar evropianin.
Por në takim me Portugalinë, dy yjet kryesorë të Belgjikës, kapiteni Eden Hazard dhe mesfushori Kevin de Bruyne u larguan nga loja si të lënduar.
Të dy lojtarët kanë marrë lëndime dhe vështirë se do të mund të paraqiten ndaj Italisë.
Për këtë ka folur edhe portieri belg, Thibaut Courtois, i cili ka thënë se De Bruyne ka dhimtë të mëdha.
“Kevin nuk arrin që ta lëvizë dot kaviljen. Nuk e mbështet dot këmbën në tokë. Shpresoj që të dy të bëhen gati. Për kualifikimin kemi bërë një sforco të madhe të gjithë bashkë, pa hequr dorë në asnjë moment”.
“Kemi luftuar të gjithë bashkë deri në sekondën e fundit, siç në të vërtetë duhet të jetë mentaliteti i skuadrës”, ka deklaruar numri një i Belgjikës.
Të gjithë në kampin belg po mundohen t’i bëjnë gati De Bruynen e Hazardin, por duket shumë e vështirë që ata të paraqiten në fushë ndaj Italisë.