U desh një shpëtim i madh në minutat shtesë për të arritur në çerekfinale, pas disavantazhit prej dy golave ndaj Japonisë. Por Belgjika tash mund të shikojë drejt përballjes çerekfinale të Botërorit kundër Brazilit, e lirë nga barra e pritjes.
“Kur luan kundër Brazilit, duhet të kuptosh se Brazili është skuadra më e mirë në garë”, ka thënë seleksionuesi Roberto Martinez, që ka shtuar se përballja me Brazilin është ëndërr e fëmijërisë e shumë lojtarëve të tij. “Ne mund të shijojmë atë përballje nga minuta e parë. Nuk besoj se ndokush pret që ne të kalojmë në gjysmëfinale”.
Belgjika ka arritur të sigurojë biletën për çerekfinale pas fitores 3:2 të hënën mbrëma në 1/8 e finales ndaj Japonisë. Në nismë të pjesës së dytë, Belgjika kaloi në disavantazh 2:0, por arriti të rikthehej dhe golin e fitores e shënoi në minutën e 94-t. Të premten në Kazan e pret përballja me Brazilin, që vlerësohet favorit i madh për të fituar Botërorin.