Belgjika ka planifikuar t’i lehtësojë në mënyrë graduale masat kufizuese nga 4 maji. Procesi i largimit të masave do të përbëhet nga disa faza në një periudhë njëmujore.
Tash për tash, në Belgjikë mund të punojnë vetëm dyqanet që sheshin ushqim, dyqanet për renovimin e shtëpive, qendrat e kopshteve dhe barnatoret. Shumica e njerëzve kanë të drejtë të punojnë vetëm nga shtëpia.
Kryeministrja belge, Sophie Wilmes, tha gjatë një konference për gazetarë pas shtatë orëve diskutimesh të premten se vendi i saj mund ta shtyjë datën për lehtësimin e kufizimeve ose t’i shtrëngojnë masat e tanishme, varësisht nga situata shëndetësore.
“Tash është koha të shikojmë drejt së ardhmes”, tha ajo. “Por Covid-19 nuk është zhdukur, virusi është ende me ne dhe është i rrezikshëm për popullsinë. Është absolutisht jetike që masat e sigurisë të respektohen gjatë fazës dalëse”, shtoi ajo.
Shefja e qeverisë gjithashtu tha se institucionet shëndetësore duhet t’i kryejnë 25 deri në 30 mijë teste në ditë për të dalë nga izolimi. Përcjellja e kontakteve të personave të infektuar tashmë do të kryhet nga një staf prej 2,000 punëtorëve.
Nga 4 maji, do të rihapen më shumë biznese, ndërsa njerëzit do të lejohen që të takohen me dy persona të tjerë përderisa janë në mjedis të jashtëm dhe ta mbajnë largësinë e duhur mes vete, shkruan “Reuters”.
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 12-vjeçare do të jenë të detyruar të vendosin maska gjatë shfrytëzimit të transportit publik. Për ta ndihmuar këtë gjendje, do të rihapen dyqanet që shesin pëlhura dhe materiale për qepje.