Gjashtë fëmijë belgë të luftëtarëve të të ashtuquajturit Shteti Islamik janë kthyer të premten në Belgjikë nga kampet e Sirisë, ku grupet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara po i mbajnë të ngujuar mijëra militant dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Fëmijët e kthyer janë të moshës gjashtë deri 18 vjeçare dhe kishin mbetur pa prindër në Siri. Kjo gjë e bëri më të lehtë riatdhesimin e tyre, krahasuar me kthimin e dhjetëra fëmijëve tjerë belgë që ndodhen në rajonin verior kurd të Sirisë.
“Gjashtë fëmijët nga Siria sapo kanë arritur në vendin tonë. Ata po kontrollohen nga zyrtarët ligjorë dhe shërbimet për mbështetjen e të rinjve”, shkroi në Twitter ministri belg i punëve të jashtme, Didier Reynders.
Forcat Demokratike Siriane, të cilat e gëzojnë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, e kontrollojnë çerekun e pjesës lindore të lumit Eufrat pas mposhtjes së Shtetit Islamik në muajin mars pranë kufirit me Irakun.
Sidoqoftë, këto forca kanë thënë se e kanë të pamundur të mbajnë për kohë të pakufizuar mijëra anëtarë të ISIS-it dhe familjet e tyre që janë dorëzuar gjatë sulmeve të Forcave Demokratike Siriane, shkruan “The Guardian”.