Jemi mësuar ta shohim në pasarela, aty ku është një nga modelet më të paguara të momentin, por të shtunën, supermodelja Bella Hadid ka zbritur në rrugë teksa i është bashkuar protestës në mbështetje të palestinezëve në konfliktin e përshkallëzuar ditët e fundit ndaj Izraelit.
Protestat janë mbajtur në shumë shtete të Amerikës, por edhe në shumë kryeqytete të tjera në botë. Një protestë është mbajtur të shtunën edhe në Bruklin, në të cilën është fotografuar edhe modelja 24-vjeçare.
Pak ditë më parë, një postim i Bella Hadid në rrjetet sociale shkaktoi reagime të shumta. Bella, e cila ndiqet nga më shumë se 42 milionë persona në Instagram postoi disa foto me mbishkrime, ku Izraeli quhej “okupues”, ndërsa palestinezët të “shtypur”. Më pas, ky postim u pëlqye edhe nga supermodelja tjetër, motra e saj, Gigi Hadid.
Bella, 24 vjeçe dhe Gigi 26 vjeçe, njihen për mbështetjen e tyre ndaj Palestinës dhe kanë marrë pjesë edhe në protesta. Babai i tyre, Mohamed Hadid, 72 vjeç, ka lindur në Nazaret në nëntor 1948, 4 muaj pasi qyteti u mor nga forcat izraelite. Ai u zhvendos në fillim në Siri, ndërsa më pas në Uashington DC.