Gjykata Speciale e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Në vendim thuhet se Veseli dhe Emmerson kanë konfirmuar se janë pajtuar për ndërprerje të marrëdhënies avokat-klient bazuar në “një prishje të parevokueshme në marrëdhënien avokat-klient”.
Sipas Gjykatës kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.
“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Vendimi thuhet se do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.
Sipas vendimit Veseli ka kërkuar që ekipin e tij mbrojtës ta kryesojë Rodney Dixon.
Largimi i Ben Emmerson besohet se lidhet me shkaqe financiare
Gazeta Nacionale ka mësuar përmes burimeve se arsyeja e tërheqjes së njërit nga avokatët më me nam në botë, u bë për shkaqe financiare.
Kohë më parë ishte larguar edhe avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe.
Sipas vendimit për konfirmim të largimit që e mori trupi gjykues, u theksua se bashkë me Kehoen, do të vendoset edhe për tërheqjen e tre bashkëpunëtorëve ligjorëe dhe pesë anëtarëve të ekipit mbështetës.
Pra në total, bashkë me Kehoen janë larguar 9 anëtarë nga ekipi mbrojtës.
“Paneli nëpërmjet kësaj: (a) Miraton kërkesën për ndërprerje dhe kërkesën për tërheqje për z. Kehoe dhe z. Reeder, e cila do të hyjë në fuqi për z. Kehoe në ditën kur një këshilltar i ri drejtues caktohet nga sekretari për të përfaqësuar z. Thaҫi; (b) Fton sekretarin që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të emëruar avokatin kryesor për z. Thaҫi sa më shpejt që të jetë e mundur; (c) Rrëzon kërkesën për emërim dhe kërkesën për pagesë;(d) Urdhëron sekretarin që të vendosë për tërheqjen e kërkuar të tre bashkëpunëtorëve ligjorë dhe pesë anëtarëve të ekipit mbështetës”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.
Vendimi për tërheqjen e Kehoes ka ardhur për arsye financiare, dhe është konfirmuar edhe nga vetë Thaçi.
“Gjatë shqyrtimit të kërkesës për ndërprerje dhe kërkesës për tërheqje, Paneli është i vetëdijshëm për të drejtën e z. Thaҫi sipas nenit 21 (4) (e) të Ligjit për të zgjedhur mbrojtësin e tij. Për sa i përket kauzës së mirë, Paneli thekson se: (i) si z. Thaҫi dhe z. Kehoe konfirmuan vendimin e tyre për të ndërprerë marrëdhënien e tyre avokat-klient; 36 (ii) z. Kehoe konfirmoi se një kontratë ndërmjet anëtarëve përfundoi më 31 janar 2023 dhe se asnjëra palë nuk dëshironte të vazhdonte marrëdhënien e tyre profesionale; dhe (iii) Z. Kehoe ofroi arsye në lidhje me tarifat e papaguara si bazë të kërkesës për tërheqje”, thuhet në vendim.
Largimi i avokatit të Selimit
Njëri ndër avokatët më të rëndësishëm të Rexhep Selimit, David Young, nuk do të jetë më pjesë e ekipit mbrojtës për ’10-shin’ e UÇK-së.
Lajmi u konfirmua në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë për Nacionalen se avokati Young është larguar për arsye shëndetësore.
Ajo e ka mohuar që largimi të ketë ndodhur për shkaqe financiare, siç ka ndodhur me avokatin e Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
“Kjo nuk është për probleme financiare për këtë avokatin tonë, por për çështje shëndetësore. Vitin e kaluar ka pasur një problem që iu ka shfaqur, nuk është me rëndësi me thënë çfarë, por deri sivjet ka menduar Rexha që po bëhet më mirë e me vazhdu”, tha ajo për Nacionalen.
Sipas saj, kontrata është shkëputur me vendim të Rexhep Selimit.
“Njëherë e patën hjek prej pozitës së parë, e kanë qit në të dytën me qenë pjesë e ekipit, mirëpo për shkak të shëndetit, janë detyrur me shkëput kontratën. Është detyru Rexha me shkëput kontratën”, tha deputetja Mehmeti-Selimi.
E pyetur nga Nacionale nëse ekipi mbrojtës i Selimit ka probleme financiare, ajo ka thënë se kjo çështje i takon ekipit dhe Ministrisë së Drejtësisë. Por, me aq sa ka dijeni, ajo tha se nuk kanë telashe financiare.
“Ne nuk kemi marrëveshje si familje me avokatët, avokatët kanë marrëveshje me MD-në, përderisa MD-ja e mbulon pjesën financiare, atëherë kjo marrëveshje bëhet mes tyre. Me aq sa di unë nuk ka probleme, me sa di unë sepse nuk jam përgjegjëse me folë”, përfundoi deputetja për Nacionalen.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve.