Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se mosvotimi i Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional në seancën e së enjtes është lajmi më i keq për qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Beqa ka thënë se kryeministri Albin Kurti gjatë seancës ka bërë presion tek deputetët e tij që mos ta votojnë këtë Projektligj.
Deputeti i PDK-së ka thënë se Kurti kishte frikë që disa nga deputetët e tij nuk do t’i binden urdhrit të tij për të votuar kundër.
“Realisht për mendimin tim është një lajm i keq për qytetarët e republikës së Kosovës. Trusti ka qenë nevojë e rrethanave të cilat e ka pru vendin, gjendjen ekonomike që e ka pru vendin Qeveria Kurti. Ne e kemi parë se kjo qeveri nuk ka vizion për të bërë zhvillim ekonomik. Nuk ka vizion për të hapur vende të reja të punës, nuk ka vizion për përcjellë inflacionin dhe i ka bllokuar edhe investimet kapitale”.
“Një farë forme kryeministri në fillim ishte shumë nervoz, i fyente qytetarët se jo nuk janë ekspertë, jo nuk ka çështje që duhet me i konsultua qytetarët e realisht qytetarët në periudha kur qeveritë janë të dobëta e marrin rolin në duar të veta. Konsideroj që ne u’a kemi bërë një të padrejtë në kuvend me votën tonë qytetareve sepse është nuk i kish obligu ligji t’i tërheqin mjetet e tyre. Ato janë paratë e qytetarëve, nuk janë mjete të qeverisë. Mendoj se na është dashtë t’ua mundësojmë të gjithë atyre që kanë nevojë t’i tërheqin. Kurse qeveria me keqardhje them nuk ka ide për një gjë të tillë. Ne e kemi parë që kryeministri ka qenë në stres deri në fund të votimit sepse kish frikë që disa nga deputetët e tij nuk do ta dëgjojnë urdhrin e tij për të mos votuar në këtë rast për tërheqjen e mjeteve. Në këtë rast është një veprim i keq i mazhorancës edhe është në kundërshtim me kërkesat e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai për Ekonomia Online tha se përmes peticionit me 10 mijë nënshkrimeve do të mund të riprocedonin nismën për tërheqjen e Trustit.
“Por, mendoj që qytetarët do të gjejnë rrugë të tjera sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i mbledhin 10 mijë nënshkrime dhe do ta sjellin sërish Projektligjin më kuvendin e Kosovës. Realisht Partia Demokratike shumicën absolute të deputetëve e ka pasur në sallë, për vetëm deputetët të cilët janë me aktivitete zyrtare jashtë vendit. Unë nuk flas për parti të tjera por çdo herë dikush mungon, po ne e kem pa se asnjë votë e mazhorancës nuk ishte pro Trustit. Do të thotë të gjitha votat ishin kundër, për vetëm një votë ishte abstenim”, tha Beqa.