Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, sot ka vizituar Universitetin “Haxhi Zeka”në Pejë ku ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti dhe ka bashkëbiseduar me studentët në lidhje me mundësitë e zhvillimin ekonomik përmes avancimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Ministri Beqaj u ka thënë studentëve se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla më e rëndësishme e çdo ekonomie të madhe moderne në botë sot, duke shtuar se bizneset e reja digjitale po e bëjnë dallimin në çdo ekonomi, duke përfshirë superfuqinë më të madhe ekonomike në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për rëndësinë e ideve të të rinjve në fushën e biznesit ministri Beqaj ka theksuar se kompanitë si Microsoft, Facebook, Google e të tjera, kanë filluar si ide nga studentët në kolegje e universitete.
Ndërsa duke folur për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj ka thënë se synimi i Ministrisë që ai drejton është inkurajimi i të të rinjve për iniciativa private, realizim dhe përmbushje të ideve të tyre në biznese të reja dhe të zhvilluara, të cilat do të gjenerojnë zhvillim dhe punësim.
“Si Ministri e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të zbatojmë aktivitete për mbështetje të hulumtimit dhe zhvillimit nga sektori privat, skemave voucher për NVM-të, konferencave, kthimit të trurit nga diaspora dhe kampanjave për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë dhe komunitetit, posaçërisht studentëve”, tha ministri Beqaj.
“Investim i drejtpërdrejtë në sektorin privat do të arrijë të krijojë efekt pozitiv në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit”, theksoi ministri Beqaj në ligjëratën para studentëve të Universitet “Haxhi Zeka” të Pejës.