Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se Republika e Kosovës sot edhe zyrtarisht ka fituar betejën në arbitrazhin ndërkombëtar kundër kompanisë AXOS nga Gjermania.
Përkundër se AXOS-i kërkoi qindra miliona nga Qeveria e Kosovës për anulimin e procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës, sot AXOS obligohet t’i paguajë Kosovës afër 2 milionë euro dëmshpërblim, ka shkruar Beqaj, në faqen e tij në Facebook.
“Ky vendim tregon për punën profesionale dhe plotësisht të përgjegjshme të Qeverisë së Kosovës. Si një nga përgjegjësit për një periudhë kohore për këtë proces, nuk kam pasur për asnjë moment dyshime se epilogu do jetë ndryshe”, ka theksuar ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik.
“Ka pasur shumë paragjykime dhe etiketime të pabaza dhe të pa argumentuara brenda dhe jashtë vendit, por gjithmonë faktet, puna e bazuar në ligje, sinqeriteti dhe dokumentat janë kokëforta”.
“Drejtësia vonon, por fiton”, ka theksuar Beqaj.
Ai ka uruar qytetarët dhe të gjithë stafin e angazhuar në këtë proces për këtë fitore të madhe.