Leonora Morina – Bunjaku, ish kandidate për deputete pjesë e koalicionit PDK-AAK-Nisma, tani është emëruar zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës.
Kështu lë të kuptohet, një fotografi e publikuar në faqen zyrtare të MKRS-së, ku shtjellohet gjatë biografia e Morina- Bunjakut pranë emrave të zëvendësministrave të tjerë në këtë ministri.
Emri i saj u bë i njohur gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2017, kur Leonora Morina – Bunjaku kandidonte për deputete të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Në fushatën zgjedhore e cila po zhvillohej gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, furra “Pashtriku” në Gjilan për syfyr kishte dhënë pitalka falas, ndërsa këto prodhime brenda e kanë pasur kartëvizitën e Leonora Morina- Bunjakut.
Klan Kosova pati realizuar kronikë në lidhje me këtë ngjarje ndërsa kandidatja për deputete, kartëvizitat e së cilës ishin në paketimin e pitalkave, mohonte se organizoi këtë aktivitet, duke thënë se dikush e ka keqpërdorur emrin e saj.
Në lidhje me punën si zëvendësministre e këtij institucioni kulturor, Leonora Morina – Bunjaku pati njoftuar edhe përmes llogarisë së saj në facebook, duke bërë të ditur se ka nisur punën me detyrën e saj të re që nga 21 shtatori.