Presioni i Beogradit kundrejt pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’u larguar nga aty po vazhdon ende. Disa prej tyre nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë presionit dhe janë larguar nga FSK-ja.
Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka treguar për Ekonomia Online, se presionet janë nga më të ndryshmet deri te ato kur dy pjesëtarëve të këtij komunitetit u janë hedhur granata dore në oborret e tyre.
“Ka interesim përkundër sfidave të shumta që vërtet i kanë dhe po ballafaqohen pothuajse në vazhdimësi. Ne kemi raste kur pjesëtarët e FSK-së sidomos komuniteti serb po ballafaqohen me një presion të jashtëzakonshëm, mua me vjen keq që disa pjesëtar të këtij komuniteti nuk kanë mundur t’i përballojnë këto presione dhe pa dëshirën e tyre janë detyruar që ta ndërprenë punën dhe të marrin vendimin për tu larguar nga FSK-ja. Ka pasur ndalesa nëpër kufi, akte të tjera sidomos në Veri, kemi pasur dy pjesëtarë ku janë kanë hedhur edhe granat e dorës në oborrin e familjes së tyre. Domethënë presionet janë prej më të ndryshmeve dhe unë vërtetë jam shumë mirënjohës dhe i përgëzoj pjesëtarët të cilët e kanë përballuar këtë presion dhe që kanë mbetur edhe më tutje që të jenë pjesë e FSK-së”.
Tani në radhët e FSK-së janë 54 pjesëtarë të komunitetit serb. Ky numër sipas ministrit mund të rritet pasi që FSK-ja është në faza të rekrutimeve të reja derisa nga 1 janari 2019, FSK-në e kanë lëshuar 18 serb.
Ministri thotë se pas miratimit të ligjeve për FSK-në presioni është më i vogël se sa që ishte para miratimit.
“Deri më tani nga informacionet që i kam diku deri 70 janë larguar prej FSK-së, kërkesat kanë qenë shumë më të mëdha para vendimit por tani edhe me këtë rekrutimin ri është përmirësuar dukshëm çështja e komuniteteve, një problem i vogël është edhe kufizimet ligjore që është kriter mosha 18-23 vjeç e që ky kriter ka ndodhur me ligjet e reja ndërsa të interesat ka pasur shumë para ndryshimit të mandatit, kanë qenë diku 200 që kanë qenë të interesuar të jenë pjesë e FSK-së, por kriteri moshë dhe standardi është për të gjithë dhe nuk kemi pasur të drejtë ligjore që ta ndryshojmë atë kriter”.
Ministri Berisha tha se me rekrutimin e fundit ka rritje 7 për qind të pjesëmarrjes së komuniteteve.
“Me këtë rekrutimin e fundit kemi rritje deri 7% tani i kemi të komuniteteve, nëse e vlerësojmë % e kemi pasur 10 %, 3 % ka pasur ndikime të ndryshme që i kanë pasur para ligjeve para tranzicionit”.
“Por ne ende nuk kemi filluar me rekrutimin e ri që pritet të filloj prej janarit, rekrutimi i fundit ka qenë vetëm plotësimi i numrit deri në 2500 aktiv ndërsa nga viti tjetër ndërsa nga viti tjetër do të fillojmë me rekrutimin e ri që është i paraparë sipas planit të tranzicionit që parasheh rritjen e numrit mbi 2500 aktiv. Interesimi është shumë i mirë dhe nëse e marrim në krahasim me shtetet e tjera ne jemi shumë përpara që dikush me apliku me qenë pjesë e strukturës, kjo llogaritet si një sfidë e jashtëzakonshme ndërsa tek ne interesimi është shumë ma i madh dhe morali dhe vullneti për të qenë pjesë e uniformës është jashtëzakonisht i madh”.
“Me këtë rekrutimin e fundit që kemi pasur e kemi përmirësuar edhe përqindjen e barazisë gjinore prej 8.5, tani e kemi 10 për qind pjesëmarrjen e femrës në strukturat e FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes që nuk është pak sepse ka shumë shtete që kanë eksperiencë më të madhe dhe nuk e kanë atë përqindje. Edhe me mandatin e ri kjo forcë do të jetë forcë profesionale dhe multietnike ku diverziteti etnik është dhe do të jetë vlerë në FSK-në”.
Ministri Berisha në këtë intervistë për Ekonomia Online ka folur edhe për sukseset e Ministrisë së Mbrojtjes.
Thotë se ajo që e bën FSK-në që të renditet ndër institucionet më të besueshme është puna e palodhshme e gjithë stafit.
“Ka shumë faktorë që ndikojnë, por mendoj që këtë rezultat e kemi arritur falë punës së mirë të të gjithë stafit ushtarak, shërbyesve civil që shërbejnë në FSK, që kontribuojnë në baza ditore, por edhe këtë sukses sigurt nuk do ta kishim arrit po mos ta kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë që e kemi në baza ditore dhe të gjitha këto të arritura janë të përbashkëta të FSK-së, ministrisë, pro edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar”.
Berisha u ka bërë thirrje gjithë komuniteteve që pavarësisht presioneve të vazhdojnë punën brenda strukturës së FSK-së.
“Pas lufte ka qenë temë nëse një pjesëtarë i komunitetit serb bëhet pjesë e policisë dhe tani as që bëhet temë ajo punë, mendoj që shumë shpejtë do të tejkalohet edhe ky problem dhe unë u kisha bërë ftesë që pavarësisht presioneve të vazhdojnë të mbesin brenda strukturës të FSK-së. Ajo që personalisht ndihem krenarë është ambienti i brendshëm brenda FSK-së që asnjëri nga këta pjesëtarë nuk e ka lëshuar FSK-në për shkak të ndonjë presioni të brendshëm ose pakënaqësitë që ka mund t’i ketë përjetuar ndaj ndonjë kolegë, përkundrazi është krijuar një ambient jashtëzakonisht i mirë ku të gjithë ndihen të barabartë dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje që diversiteti ndër etnik të jetë brenda FSK-së”.