Gjashtë vjet më parë, Valon Berisha pati mundësinë të luajë kundër yjeve të përfaqësueses së Anglisë. Atëbotë mesfushori i Lazios përfaqësonte Norvegjinë.
Si 19-vjeçar, Berisha u paraqit gjashtë minuta në miqësoren që Norvegjia e humbi nga Anglia me rezultatin 1:0. Ndeshja e 26 majit të vitit 2012 ishte zhvilluar para rreth 21 mijë shikuesve në Oslo, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për 25-vjeçarin Berisha, ndeshja kundër Anglisë, për të cilën në atë ndeshje luajtën yje si Steven Gerrard, Ashley Young, James Milner e shumë të tjerë, do të mbetet ndër ndeshjet më të veçanta në karrierë.
Kundër Anglisë, Berisha tani do të luajë me fanellë të Kosovës. Ai është lojtari i vetëm i Kosovës që në të kaluarën ka luajtur kundër Anglisë.