Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në seancën e jashtëzakonshme ka folur edhe për kushtet e policisë, sipas të cilit ato duhet të ndryshojnë.
Berisha tha se Policisë duhet t’u rriten pagat, duhet bërë sigurimi shëndetësor, e paguar orët shtesë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, policët po ikin në moshë të re, e siç tha ai vetëm po e fillojnë karrierën e në rastin e parë po largohen në perëndim për shkak të kushteve jo të mira këtu.
Ai bëri edhe një kërkesë për kryetarët e komunave që vijnë nga partitë opozitare.
“Duhen rregulluar kushtet e shërbimit, duke ua rritur pagat në nivel dinjitoz, sigurimin shëndetësor, duke ua paguar shtesat e rrezikshmërisë edhe për orët shtesë që tash e sa muaj nuk po iu ekzekutohen. Duke ua mundësuar që me ligj penzionimin e parakohshëm”.
“Po ikin policët kryesisht në moshë të re, e fillojnë karrierën që në rastin e parë të largohen në perëndim për jetë më të mirë. Kjo është për shkak problemeve financiare të policisë, pa e amnistuar asnjë Qeveri. Duhet të ndodh ngritja e pagave”.
“Nëse nuk e përkrahim edhe kësaj radhe këtë nismë ligjore me votë, me votën e shumicës, atëherë i thërras kryetarët e komunave që drejtohen nga opozita, me theks të veçantë të Partisë Demokratike, që të vendosen një beneficion, policëve dhe familjarëve të tyre që pa pagesë t’u ofrohen shërbimet shëndetësore. Të paktën këtë mund ta bëjmë pa ndonjë sforcim”, tha Berisha.