Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit nga Bashkimi Demokratik, Ajvaz Berisha, ka mbajtur sot tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Drenas, raporton Ekonomia Online.
Në fjalimin e tij, Berisha theksoi se Drenasi ka nevojë për një ndryshim të thellë pas 26 viteve qeverisje nga një parti që, sipas tij, ka sjellë vetëm korrupsion, nepotizëm dhe stagnim ekonomik.
“Jemi mbledhur jo vetëm për të shënuar fundin e një fushate mbresëlënëse, që kemi zhvilluar për zgjedhjet lokale 2025 por për të ndezur shkëndijat e një lëvizje të nevojshme për ndryshim të nisur nga Bashkimi Demokratik. Dua të flas me gjuhën e zemrës dhe mendjes sime rreth të tashmës dhe të ardhmes së Drenasit tonë të dashur për 26 vite kemi qenë dëshmitarë se si një parti politike e ka mbajtur pushteti për të mos thënë e ka sunduar komunën tonë, gjatë tërë kësaj kohe kemi parë mungesë të zhvillimit në komunën tonë, rritjen e korrupsionit, nepotizmit dhe skandaleve të ndryshme. shumë prej jush e kanë ndjerë zemërimin dhe zhgënjimi që vjen nga qeveritarët lokal. Ka ardhur koha që të kërkojmë llogaridhënie dhe ndryshim, Drenasi ka dhënë shumë ky vend vuan pasojat e keqqeverisjes dhe menaxhimit të dobët na kanë lënë në mesin e komunave më të varfëra në Kosovë, kurse familjet e tyre jetojnë në një luks, kjo është e pa pranueshme”, ka deklaruar ai.
Ai u zotua për një qeverisje transparente, të ndershme dhe të orientuar drejt zhvillimit të gjithëmbarshëm.
“Jam angazhuar që të jem në shërbim të qytetarëve të Drenasit jemi të përkushtuar për thyer korrupsionin e skandalet, vizioni ynë për Drenasin është një vizion i transparencës përgjithësisë dhe progresit të gjithmbarshëm. Bashkimi Demokratik synon një Drenas ku çdo qytetar i Drenasit ka qasje në burimet që i nevojiten për zhvillim, do të trajtohen me barazi dhe i mundësohet investimi në ekonomi dhe biznes, një Drenas ku fëmijët tanë marrin arsim cilësor, ky vizion nuk është një ëndërr por një synim real dhe i arritshëm dhe nëse bashkohemi dhe fuqizohemi me votën tuaj do të rikthejmë besimin në qeverisjen lokale”, theksoi ai.
Ai ftoi qytetarët që nesër të dalin në votime dhe të japin mbështetjen për Bashkimin Demokratik, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një të ardhmeje më të mirë për komunën.

