Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk pranoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama, duke lënë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se Gjykata rrëzoi një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve.
“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve. Natyrisht gjykata ka mëkatin e madh sepse i dha Lubi Ballukut mbi 2 muaj kohë të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument. Por siç thotë fjala, më mirë vonë se kurrë. Me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave. Në fakt bashkë me Edi Ramën sepse ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, ajo kishte të bënte me pezullimin e Edi Ramës nga detyra. Dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata”, u shpreh kreu demokrat, përcjell A2 CNN.
Ai i bëri thirrje popullit opozitar që të shumëfishojë energjitë dhe forcat deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Ky është një moment që dëshmon se populli opozitar duhet të shumëfishojë energjitë dhe forcat në këtë betejë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti. Asnjë shqiptar nuk duhet të pranojë kurrë që për pasurimin me plaçkitje të Edi Ramës, familjes së tij, Lubi Ballukut dhe të tjerëve, të shkelmohet e ardhmja evropiane e fëmijëve tanë, e ardhmja evropiane e jonë. Ju rikujtoj se pavarësisht nga reagimet që ka pasur, pavarësisht nga kritikat që mund të jenë bërë nga lobingjet e Edi Ramës apo të tjerë, por kemi paralajmëruar me kohë se Shqipëria me Edi Ramën nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kriter përveç pozicionit të saj gjeostrategjik. Koha na dha të drejtë. Ata që i dëgjuan me skepticizëm, madje edhe me mospëlqim këto deklarata, u befasuan kur u përballën me situata shumë më të rënda se ajo që kishim parashikuar. Ndaj dhe nxorën opsionin nuklear të papërdorur kurrë që nga themelimi i BE, disa vende, zhbërjen totale të procesit të integrimit me Shqipërinë. Por jam i bindur se ju nuk do e lejoni këtë. Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha.