Italia është shteti më i prekur në Evropë nga pandemia COVID-19. Në Itali jeton edhe portieri prishtinas Etrit Berisha, që aktivizohet te skuadra e SPAL-it, në Serie A.
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë tash e disa javës është izoluar në shtëpinë e tij pas gjendjes së krijuar në Itali. 31-vjeçari thotë se situata në Itali nuk është aspak e mirë, duke treguar për momentet që po kalon në Itali.
“Aktualisht në Itali situata nuk është aspak e mirë. Jemi duke pritur që gjendja të bëhet më e mirë. Po shpresojmë që gjërat të rregullohen edhe më shumë. Në pjesën ku unë jetoj për fat të mirë nuk ka edhe shumë të prekur dhe viktima, kështu që po ndihem më qetë sa i përket kësaj pjese”, deklaroi Berisha.
Portieri prishtinas që tash e disa javë nuk ka lëvizur nga shtëpia e tij për shkak të situatës së krijuar thotë se nuk është aspak e lehtë, por që duhet të respektuar udhëzimet mjekësore.
“Është vështirë të qëndrosh në shtëpi sidomos për ne që jemi mësuar të luajmë, të stërvitim rregullisht. Nuk është e lehtë të qëndrosh i mbyllur në shtëpi por ne duhet t’i respektojmë rregullat dhe udhëzimet e dhëna nga institutet mjekësore. Në rast se qëndrojmë në shtëpi sigurisht që edhe situata do të përmirësohet dhe më shumë”, potencoi Berisha.
Ish-portieri i Lazios dhe Atalantas, përkundër se është i izoluar stërvitjet nuk i ka ndalur. Berisha thotë se kanë marr planprogramin nga stafi i trajnerëve për t’i kryer stërvitjet në kushte shtëpiake.
Portieri nga Prishtina thotë se në këto kushte është e vështirë të stërvitet duke shpresuar që me përmirësimin e situatës të rikthehen në stërvitje normale.
“Nuk është aspak e lehtë të stërvitesh në këto kushte pasi dihet që ne kemi edhe stërvitje fizike. Por jemi duke stërvitur dhe këto janë mundësitë. Nuk është e lehtë, por po vazhdojmë me planprogram të punojmë. Jemi në kontakte me trajnerin, stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët gjatë gjithë kohës ku informohemi për gjendjen e fundit këtu. Po shpresojmë që kjo situatë të përmirësohet dhe të rikthehemi në stërvitje normale”, theksoi Berisha.
Përveç Bjellorusisë, tashmë në gjithë botën janë pezulluar të gjitha aktivitet sportive. Pezullimi i aktiviteteve ka prekur edhe klubet evropiane që kanë filluar ta ndiejnë krizën financiare. Për portierin “kuqezi” kjo situatë mund të sjellë dëme të mëdha në sport.
“Kjo pauzë sigurisht që e ka dëmtuar futbollin dhe sigurisht që dëmet do të dihen më vonë. Mirëpo gjëja më e mirë është që sa më shpejt ta kalojmë këtë gjendje e cila nuk është aspak e mirë. Duhet të mendojmë të rikthehemi në gjendje normale dhe më pas besoj që gjërat e tjera do të rregullohen me kohë. Nuk do të jetë e lehtë, por besoj se do të ia dalim të gjithë së bashku”, përfundoi Berisha.