Berisha operohet në gju, një muaj jashtë fushës

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 16:46 | Nga

Dëmtimi i pësuar nga portieri i kombëtares shqiptare të futbollit Etrit Berisha është më i rëndë se sa parashikohej.

Portieri që luan titullar me Atalantën në Serinë A, u dëmtua gjatë ndeshjes së fituar ndaj Romës një javë më parë dhe kontrollet mjekësore që u zhvilluar gjatë këtyre ditëve kanë konfirmuar një dëmtim të rëndë të gjurit të djathtë. Për pasojë, përmes një komunikimi zyrtar në “Twitter”, drejtuesit e Atalantës konfirmojnë se portieri do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, e cila do të zhvillohet nesër paradite në Romë.

“Futbollisti Etrit Berisha, i është nënshtruar disa kontrolleve të detajuara, që evidentuan probleme në gjurin e djathtë”, thuhet në komunikatë.

Më tej, klubi bergamask shton: “Duke parë shkallën e dëmtimit dhe kontrolleve të bëra nga mjeku Pier Paolo Mariani, është vendosur që të kryhet një operacionin në meniskun e gjurit të djathtë. Ndërhyrja do të kryhet më 30 dhjetor në klinikën “Villa Stuart” në Romë”.

Një dëmtim që natyrisht do të lërë gjatë jashtë fushave portierin e Atalantës dhe ekipit kombëtar, që ka qenë një ndër më të mirët këtë sezon për skuadrën e trajnerit Gasperini. Mediat italiane parashikojnë një mungesë deri në një muaj për portierin Etrit Berisha, që pritet të jetë në dispozicion në fillim të janarit, për të qenë gati pas pushimeve dimërore.

Berisha mungoi edhe në takimin e fundit, ndaj Bolonjës.

screenshot_1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme